Lidhje

Kontributi i këngëtares legjendare blues Etta James


Kontributi i këngëtares legjendare blues Etta James
Kontributi i këngëtares legjendare blues Etta James

Këngëtarja legjendare blues Etta James, e cila ka patur mjaft ndikim në breza të tërë artistësh të muzikës pop, rock dhe rhythm-and-blues, u nda nga jeta javën e shkuar në Kaliforni, për shkak të ndërlikimeve të leukemisë. Ajo ishte 73 vjeç. Doug Levine i Zërit të Amerikës, në materialin në vazhdim, kujton këngëtaren fituese të shumë çmimeve, e njohur më tepër për interpretimin e këngës së famshme të muzikës blues, “At Last”.

Kur Etta James këndoi këngën “At Last” të Mack Gordon dhe Harry Warren-it, dhjetra versione të tjera të këngës prej artistëve si Nat “King” Cole apo Beyonce dukeshin të zbeheshin prej krahasimit. Ajo ishte kënga kryesore e Etta James-it, e cila i dha shtysë karrierës së saj të suksesshme, që zgjati më tepër se 50 vjet.

Emri i vërtetë i saj ishte Jamesetta Hawkins dhe ajo lindi në Los Anxheles të Kalifornisë. Etta James filloi të studionte muzikë në moshën 5 vjeçare dhe këndoi si soliste në korin e kishës Baptiste që frekuentonte. Pas një kohe të shkurtër si këngëtare e biblës në transmetimet e një rodioje lokale, ajo krijoi një grup prej tre vajzash të quajtur The Creolettes. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe kur grupi, nën drejtimin e producentit Johnny Otis, ndërroi emrin në The Peaches dhe nënshkroi një kontratë me shtëpinë diskografike Modern Records. Suksesi i tyre i parë ishte kënga e kompozuar nga vetë Etta, “The Wallflower (Roll With Me, Henry).”

Kënga “The Wallflower (Roll With Me, Henry)” ishte në krye të klasifikimeve të muzikës Rhythm and Blues, në vitin 1955. Pak më vonë, grupi i Etta James The Peaches u shpërbë, duke lejuar në këtë mënyrë fillimin e karrierës së saj solo.

Etta nënshkroi një kontratë me shtëpinë diskografike Chess Records në vitin 1960 dhe filloi të regjistronte albume për pjesët përbërëse të firmës, si Argo and Cadet. Albumi i saj i parë “At Last!”, përmbante 6 këngë që u renditën midis 20 këngëve më të mira R&B dhe që u bënë gjithashtu pjesë e klasifikimeve pop.

Ajo vazhdoi të krijonte këngë dhe albume shumë të suksesshme gjatë gjithë viteve 1960. Në vitin 1968, kur ajo regjistroi këngën e saj pop kampione të shitjeve “Tell Mama”, repertori i këngëtares përfshinte muzikë soul, rock, jazz, duete dhe orkestrime me harqe.

Problemet e Etta James-it me varësinë ndaj drogës filluan në vitet 1960. Ajo u shtrua disa herë në spitale psikiatrikë por mbeti gjithmonë e përkushtuar ndaj karrierës si këngëtare. Ajo e mposhti problemin me drogën në moshën 50 vjeçare, pasi vendosi të kurohej në një qendër për trajtimin e abuzimeve ndaj substancave.

Etta James fitoi shumë çmime Grammy, përfshi atë për albumin më të mirë tradicional blues me “Blues To The Bone”, të vitit 2004. Ajo gjithashtu mori çmimin Grammy për karrierën dhe të dyja këngët e saj të famshme “At Last” dhe “The Wallflower (Roll With Me, Henry)” u nderuan si pjesë të Grammy Hall of Fame. Etta James ishte edhe fituese e më tepër se 15 çmimesh Blues Music Awards, si dhe e përfshirë në listat prestigjoze Rock and Roll Hall of Fame, Blues Foundation’s Hall of Fame, dhe the Hollywood Walk of Fame. Revista Rolling Stone e renditi atë si një ndër 100 artistët më të mirë të të gjitha kohërave. Këngëtarja Etta James u nda nga jeta më 20 janar 2012 në moshën 73 vjeçare.

XS
SM
MD
LG