Lidhje

Kontributi i shkrimtarit Ralf Ellison në letërsinë amerikane

  • Richard Thorman

Kontributi i shkrimtarit Ralf Ellison në letërsinë amerikane

Kontributi i shkrimtarit Ralf Ellison në letërsinë amerikane

Shkrimtari afrikano-amerikan Ralf Ellison zuri një vend të merituar në letërsinë amerikane me romanin Invisible Man apo në shqip “Njeriu i padukshëm”. Ky libër flet për një zezak të paemër në kërkim të identitetit dhe vendit të tij në shoqëri.

Botuar më 1952, romani Njeriu i padukshëm i dha shkrimtarit të ri Ralph Ellison famë të menjëhershme. Vepra u nderua me Çmimin Kombëtar të Librit, shpërblim i madh dhe tejet i rrallë për romanin e parë të një autori.

Që atëherë janë shitur miliona kopje të librit. Kritikët kanë diskutuar për romanin me vite të tëra dhe profesorët kanë ligjëruar për të në shkolla e universitete. Romani Njeriu i padukshëm është libër që ndryshoi mënyrën sesi amerikanët e bardhë mendonin për afrikano-amerikanët.
Shkrimtari Ralf Ellison u lind më 1914 në qytetin e Oklahomës. I ati i vdiq kur ishte i vogël dhe e ëma, megjithë vështirësitë financiare, e mbështeti interesimin e të birit për muzikën dhe letërsinë.

Ralfi filloi studimet në një universitet për zezakët në Alabama, por më vonë u shpërngul për në Nju Jork për të studiuar muzikë. Meqë nuk kishte më para, ai nuk arriti të vazhdonte shkollën dhe u detyrua të bënte punë të rënda për ta mbajtur veten.
Por mungesa e parave u bë shkak që Ralf Ellison të bëhej shkrimtar. Në Nju Jork, ai u lidh me Projektin Federal të Shkrimtarëve, i cili synonte të mbante në punë shkrimtarët gjatë krizës ekonomike të viteve ’30.

Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ellison punoi si kuzhinier i marinsave, ndërkohë që lexonte veprat e shkrimtarëve të njohur si T.S. Eliot, Ernest Heminguej dhe Uilliam Foknër. Në këtë kohë, Ralf Ellisonit iu botuan edhe shkrimet e para, ndërsa filloi të shkruante romanin Njeriu i Padukshëm.

Ellison punoi rreth 10 vjet për këtë libër. Si shumë romane të tjera, edhe ai paraqet një përvojë personale të autorit. Por në dallim nga romanet e tjerë, ngjarjet në Njeriun e Padukshëm zhvillohen në një atmosferë ëndrrash; ai paraqet një botë ku ëndrrat bëhen realitet dhe ku bota reale duket si ëndërr e frikshme.

Në pjesën më të madhe të romanit të Ralf Ellisonit, njeriu që tregon ngjarjen është viktimë, kryesisht e të bardhëve, por edhe e disa zezakëve. Autori tregon se kur ishte fëmijë, të bardhët ia mbyllnin sytë me një leckë dhe e detyronin të rrihej me djem të tjerë zezakë. Zezakët detyroheshin të rriheshin mes tyre për kënaqësinë e të bardhëve.
Në fund të romanit, ngjarja zhvendoset nga jugu në veri të Shteteve të Bashkuara. Përshkruhen trazira në lagjen Harlem të Nju Jorkut, e cila ishte e banuar nga zezakë. Në vend të fëmijëve që rrihen mes tyre symbyllurazi, zezakë të rritur përleshen mes tyre deri në vdekje.

Kritikët thonë se romani Njeriu i padukshëm është shkruar mirë. Por disa e kanë quajtur këtë një dobësi, duke thënë se të shkruarit bukur i ka fshehur idetë e librit. Kritikë të tjerë thonë se vështirë që “Njeriu i Padukshëm” të quhet një roman afrikano-amerikan; Personazhi kryesor në libër, thonë ata, mund të jetë cilido prej nesh, pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës apo vendin e lindjes.

Ralf Ellison nuk botoi roman tjetër. Pas vdekjes, më 1994 iu botua një libër me tregime. Megjithatë, ai pati ndikim të madh te shkrimtarë të tjerë amerikanë dhe sidomos te ata zezakë.

XS
SM
MD
LG