Lidhje

Demokratët protestojnë në Kongres për kontrollin e armëve


Ligjvenësit demokratët po portestojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, duke qëndruar ulur në tokë, për shkak tërefuzimit të republikanëve për të hedhur në votë një rezolutë që parashikon kontrolle më të forta për blerjen e armëve. Pas vrasjes masive të 13 korrikut në Florida, demokratët po bëjnë thirrje për ligje më të forta për kontrollin e armëve. Për vite me radhë, republikanët kanë bllokuar çdo ligj që do të vështironte blerjen e armëve. Të përballur me protestën ulur të demokratëve, republikanët, të cilët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, votuan sot në orët e para të mëngjesit për pezullimin e seancave në Kongres deri më 5 korrik

Protesta filloi të mërkurën. Në krye të saj ishte ligjvënësi i Xhorxhias, John Lewis, ish aktivist i betejës për të drejtat civile në vitet ‘60, gjatë së cilës, protestat ulur përdoreshin si mjet kundërshtimi ndaj ndarjes racor në mjediset publike.

"Ata që kërkojnë përmirësimin praktik të gjendjes nuk dëgjohen. Kush përdor arsyen kritikohet. Bllokuesit vlerësohen. Newtown. Aurora. Charleston. Orlando. Cila do të jetë një pika e kthesës? Apo jemi të verbër?”

Kur demokratët refuzuan të shpërndaheshin, republikanët e ndërprenë seancën, duke ndaluar edhe transmetimin e drejtpërdrejtë me televizion.

Atëhere demokratët filluan transmetimet e tyre, duke përdorur aplikacionin Periscope të transmetimit me celularë dhe në Facebook. Transmetimet e tyre u morën nga kanali televiziv C-SPAN, që mbulon seancat në Kongres.

Me shtimin e numrit të protestuesve ulur dhe të intensitetit të protestës, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, i thirri ligjvënësit në seancë, për të votuar për projekt-ligje të tjera, që nuk kishin të bënin me armët..

"Kryesia e vlerëson që anëtarët e Dhomës kanë mendime të ndryshme për politikat dhe do të përpiqet që t’i shprehë ato. Por ne shpresojmë që puna e Dhomës së Përfaqësuesve do të mund të kryhet në mënyrë që të përfaqësojë pozitivitet për dinjitetin dhe dekorin e këtij institucioni të cilit ne të gjithë i përkasim,”- tha zoti Ryan.

Megjithë kërkesën e zotit Ryan, ligjvënësit demokratë i vazhduan protestat me thirrjet “Pa ligj nuk ka pushim”, duke valëvitur pankarta të shumta me emrat e viktimave të dhunës nga armët.

Zoti Ryan i kritikoi përpjekjet e demokratëve, duke i cilësuar ato “shfaqje për publicitet”.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin marrjen e masave të arsyeshme që armët të mos shiten pa masa kontrolli. Për mungesë veprimi për këtë çështje nga Kongresi, fajësohet lobi i fuqishëm i armëve në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG