Lidhje

Shqipëri: Kontrolli i Shtetit zbulon 1,5 milionë dollarë dëme në buxhetin e vitit 2009


Shqipëri: Kontrolli i Shtetit zbulon 1,5 milionë dollarë dëme në buxhetin e vitit 2009

Shqipëri: Kontrolli i Shtetit zbulon 1,5 milionë dollarë dëme në buxhetin e vitit 2009

Kontrolli i Lartë i Shtetit dorëzoi në Parlament raportin vjetor për vitin 2009, gjatë të cilit inspektorët kanë zbuluar një dëm ekonomik prej 1, 5 milionë dollarë në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit shtetëror. Raporti përfshin një mori shkeljesh dhe kritika për abuzimet me fondet shtetërore. Kryetari i KLSH-së, Robert Çeku, pritet të mbrojë raportin sot në komisionet parlamentare dhe të kërkojë dëmshpërblime dhe dënime për shkeljet e konstatuara.

Nga raporti veçohet se për herë të parë këtë vit, të gjithë subjektet shtetërore i kanë pranuar dëmet e shkeljet, si edhe kanë pranuar që të kthejnë gjithcka në buxhet nga paratë e shpërdoruara, pasi KLSH këmbënguli që ato të kompensojnë harxhimet e parregullta. KLSH kontrolloi 40 ministri, institucione e agjenci shtetërore, 31 bashki dhe shkeljet financiare janë rreth 4,5 milionë dollarë amerikanë. Inspektorët kontrolluan 330 tendera, 60 prej të cilëve janë kapur me shkelje në dokumenta, ndërsa 30 të tjerë me probleme gjatë zhvillimit.

Sipas të dhënave nga raporti, qeveria realizoi të ardhurat e përgjithshme 93,5%, ndërsa pushteti lokal ka realizuar vetëm 65 për qind të mbledhjes së të ardhurave. KLSH thekson se detyrimet debitore të bizneseve ndaj shtetit kapin përsëri shifra të larta deri në 6,5 milionë usd, megithëse mbledhja e gjobave është arritur 225 për qind.

Detyrime të prapambetura u janë mbledhur 2 mijë subjekteve, por janë edhe 3 mijë subjekte të tjera që vonojnë detyrimet, duke e rritur me 2 për qind borxhin tatimor. KLSH vlerëson se pavarësisht përmirësimeve në sektorin e tatim taksave, situata aty mbetet përsëri problematike nga vonesat. Po ashtu, borxhi doganor është rritur 5 për qind, ndonëse taksat doganore janë mbledhur deri 101%.

Ekspertët vlerësojnë se deficiti i përgjithshëm i buxhetit të shtetit është rritur me 1, 5 pikë përqindje. Nga këto, rritja e borxhit të jashtëm është 3 herë më e madhe se rritja e borxhit të brendshëm, ndërsa në total deficiti buxhetor llogaritet në rreth 800 milionë dollarë. KLSH ka kërkuar në këtë raport vjetor që edhe qeveria të ketë një depozitë në Bankën e Shqipërisë dhe për të të mbahet një ditar i rregullt mbi lëvizjet e parave në llogaritë e saj. Studime mbi raportimet vjetore të instituteve financiare dhe bankare shpesh kalojnë pa vëmendjen e duhur në parlamentin e mbingarkuar me tensione politike.

XS
SM
MD
LG