Lidhje

Kosovë: Sulmohet prona e një serbi në Istog


Policia tha se shtëpia e një çifti serbo-shqiptar është dëmtuar nga pasojat e një shpërthimi të pasqaruar

Policia e Kosovës bëri të ditur se një shpërthim ka ndodhur në shtëpinë e një pjesëtari të komunitetit serb në komunën e Istogut rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Policia tha se shpërthimi kaloi pa pasoja në njerëz, por me dëme materiale në shtëpi, në kohën kur pronari serb dhe bashkëshortja e tij shqiptare nga Shqipëria po flinin.

Policia tha se ende nuk dihet asgjë për autorët apo motivet e mundshme të incidentit, i cili u dënua nga përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë.

Shefi i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandër Vulin u tha medieve serbe se kjo është edhe një dëshmi që Serbia duhet të ngulë këmbë për pushtet ekzekutiv për bashkësinë e komunave serbe në fushën e policisë, gjyqësisë dhe elementeve të tjera që e bëjnë jetën e serbëve të mundur dhe të drejtë.
XS
SM
MD
LG