Lidhje

Kosovë, plane për sulme ndaj udhëheqësve politikë?


Në Kosovë autoritetet thanë se kanë marrë informata që grupe të caktuara kanë planifikuar sulme ndaj disa udhëheqësve institucional dhe politikë të vendit.

Kosovë, dyshime për komplot ndaj udhëheqësve
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Këto njoftime u bënë publike në një komunikatë të Këshillit për Siguri të Kosovës në të cilën thuhet se "pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, ky këshill informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues".

Në njoftim thuhet se "grupet e tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës".

Njoftimi pasoi shkrimet në mediet vendëse për shtim të masave të sigurisë gjatë kremtimeve me rastin e festës së pashkëve nëpër kishat e Kosovës si dhe njoftimet se ambasadat amerikane në Prishtinë, Shkup e Tiranë kanë paralajmëruar qytetarët amerikanë që të jenë të kujdesshëm gjatë kremtimeve dhe "gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara".

Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vëmendshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, thuhet në këshillën që ambasadat amerikane u kanë shpërndarë qytetarëve amerikanë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës që ishte mbledhur edhe të enjten, tha të premten se shqetësimet lidheshin më planet e për veprime kundër disa udhëheqësve institucionalë dhe politikë të Kosovës

"Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës", thuhet në njoftim në të cilin theksohet se institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së udhëheqësve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale.

"Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërkaq, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë", thuhet në njoftim.

Ndërsa policia e Kosovës tha se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme.

Në një njoftim të policisë thuhet se ajo është duke zbatuar "disa veprime operacionale të planifikuara, që ndërlidhen me manifestimet për festat e pashkëve, e që një qasje e tillë policore aplikohet edhe në rastet e tjera të manifestimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm. Policia e Kosovës çmon lart bashkëpunimin me komunitetet fetare lidhur me manifestimin e këtyre festave dhe po ashtu falënderon të gjithë qytetarët për nivelin e lartë të vetëdijes qytetare për të respektuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve, si një nga vlerat fundamentale të shoqërisë demokratike".

Tash për tash autoritetet nuk kanë dashur të japin më shumë hollësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG