Lidhje

Kopshti i gjelbër zoologjik dhe botanik i Floridës

  • Zëri Amerikës

Kopshti i gjelbër zoologjik dhe botanik i Floridës

Kopshti i gjelbër zoologjik dhe botanik i Floridës

Kopshti Zoologjik dhe Botanik në Sanford të Floridës, fitues i një çmimi për ajrin e pastër, është vlerësuar edhe për nismat e tij në mbrojtje të mjedisit, nga përdorimi i materialeve të riciklueshme tek burimet e gjelbra të energjisë. Në serinë e përjavëshme “Prirjet e Gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi për një nga këto praktika të Kopshtit Zoologjik që ndodhet në pjesën qendrore të Floridës.

Këtu gjithçka është e gjelbër, por Kopshti Zoologjik po bën përpjekje të mëtejshme për ta bërë mjedisin edhe më të gjelbër, me synimin për të qënë një organizatë plotësisht e gjelbër. Elementi i parë i gjelbër që të zë syri sapo hyn në Kopshtin Zoologjik dhe Botanik në Sanford të Floridës është një kosh i madh për bukëpeshku, i pari i këtij lloji në këtë shtet, ku grumbullohen artikuj të riciklueshëm prej kësaj lënde. Banorët dhe bizneset e zonës mund të sjellin këtu artikujt prej bukëpeshku në kuadrin e programit të riciklimit të Floridës.

“Ky program është i veçantë pasi për herë të parë caktohet një pikë grumbullimi në zonë për artikujt prej bukëpeshku, dhe mesa di unë kjo është pika e parë e grumbullimit në gjithë vendin”.

Bashkërenduesja e programit të riciklimit, Tanya Scheidegg shpjegon se Kopshti Zoologjik dhe Botanik ka patur si synim të zgjojë vetëdijën e publikut dhe vizitorëve të tij, që janë rreth 250 mijë në vit, se prodhimet prej bukëpeshku kanë një ndikim negativ për mjedisin pasi ato çlirojnë elemente kancerogjene në ushqimet dhe lëngjet dhe nuk janë lehtësisht të disgregueshme. Ato janë gjithashtu të dëmshme për kafshët pasi dëmtojnë mekanizmin e tyre natyral të lëvizjes dhe të sensit të gjuetisë për ushqim.

Tanya Scheidegg thotë se duhen disa qindra vjet që materiali prej bukëpeshku të disgregohet, prandaj enët e prodhuara prej tij duhet të jenë të pastruara nga ushqimi dhe mbeturinat e tjera kur sillen në Kopsht, i cili grumbullon çdo javë enë të tilla dhe ambalazhe të formave nga më të ndryshmet.

Kopshti Zoologjik dhe Botanik i Floridës ofron seminare për ndërgjegjësimin e publikut se si të mbrohen burimet natyrore, çfarë burimesh alternative energjie janë në përdorim, si të ogranizojmë riciklimin e materialeve, e një sërë praktikash të tjera të gjelbra që mund të ndiqen në jetën e përditëshme.

“Ne kemi ndërmarrë disa nisma të gjelbra me synimin që komunitetet ta dinë se ne jemi të angazhuar në ruajtjen e të gjitha burimeve natyrore, jo vetëm të kafshëve dhe bimëve. Një nga programet tona kryesore ka qënë pakësimi i materialit plastik që përdoret këtu në sasi tepër të mëdha, nga thasët e plehrave tek pjatat, lugët, pirunët dhe thikat plastike që përdoren vetëm një herë”.

Programet e Kopshtit Zoologjik dhe Kopshtit Botanik në Sanford të Floridës kanë për qëllim që jo vetëm t’i bëjnë njerëzit, të mëdhenj e të vegjël, t’i duan kafshët, por t’i nxisin ata të përpiqen për ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm jetese.

XS
SM
MD
LG