Lidhje

Prokuroria: Hetim për blerje votash në Korçë


Në Shqipëri prokuroria njoftoi sot se ka nisur menjëherë hetimet pas pamjeve të transmetuara mbrëmë nga televizioni Top Channel në emisionin Fiks Fare ku shihen disa studentë të cilet marrin para në një zyrë të partisë socialiste pasi kanë votuar për kryetarin e ri të bashkisë së Korcës të dielën e shkuar. Kryetari i socialistëve të Korcës tha sot se bëhet fjalë për anëtarë të organizatës rinore të kësaj partie të cilëve u janë paguar shpenzimet e udhëtimit dhe jo për blerje vote. Partia demokratike nga ana e saj reagoi ashpër duke deklaruar se do të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qytet.

Votat e Zgjedhjeve të Korçës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00


Në pamjet e filmuara nga gazetarët e emisionit Fiks Fare shihen studentë korcarë të cilët pasi kanë votuar të dielën në, tërheqin 2 mijë lekë në një zyrë të partisë socialiste, ku emrat e tyre gjenden të rregjistruar. Transmetimi i tyre solli një reagim të fortë të partisë demokratike në opozitës, kandidati i së cilës Sotiraq Stratobërdha humbi me diferencë të ndjeshme ndaj rivalit socialist Sotiraq Filo."Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista, zgjedhjet e mbajtura ditën e dielë në qytetin e Korçës. Emisioni investigativ “Fiks Fare”, i televizionit “Top Channel” kapi me presh në duar një prej bandave të rrjetit kriminal, organizuar me regjistra, me kompjuter dhe para të thata, për të blerë votën e qytetarëve korçarë, në bazë të një plani të detajuar, të përgatitur me kujdes në zyrat e Partisë Socialiste, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.

Por kryetari socialist i Korcës Ilirjan Pendavinji tha sot për mediat se nuk bëhet fjalë për blerje votash dhe se studentët e shfaqur ne video janë anëtarë të Freshit, organizatës rinore të kësaj partie, të cilëve u janë paguar shpenzimet e ushtimit nga Tirana ku ata studiojnë. Ai tha se Prokuroria mund ta vërtetojë lehtësisht një gjë të tillë sipas tij. Dhe në të vërtetë prokuroria njoftoi nisjen e hetimit për këtë cështje, ku do të merren në pyetje personat e përfshirë. “Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale...për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet...”, saktësoi prokuroria në një deklaratë të sajën.

Nga ana e saj Partia demokratike njoftoi se do të kërkojë ripërsëritjen e zgjedhjeve: "Kemi përgatitur dhe do të zyrtarizojmë kërkesën për anulimin e zgjedhjeve botërisht të manipuluara të së dielës në Korçë dhe krijimin e kushteve për përsëritjen e tyre në një kohë të përshtatshme, me garancitë e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese", tha zoti Basha

Zgjedhjet e së dielës në Korcë u zhvilluan për vendin e lënë bosh nga ish kryebashkiaku Niko Peleshi i cili u emërua zëvendëskryeministër në qeverinë e zotit Edi Rama
XS
SM
MD
LG