Lidhje

Pres. Trump fton senatorë për të diskutuar situatën në Kore


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka ftuar të 100 senatorët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë për një takim mërkurën që lidhet me çështjen e Koresë së Veriut.

Takimi do të drejtohet nga Sekretari i Mbrotjes Jim Mattis, ai i Shtetit Rex Tillerson, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats si dhe Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë gjenerali Joe Dunford.

Senatorët i marrin informacionet e kësaj natyre në Kongres, ndaj dhe takimi i tyre të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet një zhvillim i pazakontë.

Presidenti ka thënë gjatë këtë javë se "status quo-ja lidhur me Korenë e Veriut" është e papranueshme dhe se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të përgatitet për vendosjen e sanksione shtesë dhe më të forta, për programin bërthamor të Koresë së Veriut.

"Koreja e Veriut përbën një problem të madh botëror. Përpara tij janë mbyllur sytë për dekada dhe tani është koha për ta zgjidhur problemin", tha presidenti.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell tha se veprimet e paparashikueshme nga ana e Koresë së Veriut, e shtynë atë t’i kërkojë presidentit të takojë të gjithë anëtarët e Senatit për t’i informuar mbi situatën.

"Presidenti e ka bërë të qartë se një Kore e Veriut e armatosur me raketë bërthamore, që ende mbetet të vihet në provë prej tyre, është e papranueshme dhe kërcënon interesat tona jetike të sigurisë kombëtare", tha zoti McConnell në fjalën e tij përpara senatit.

Mes tensioneve në rritje lidhur me programin bërthamor dhe atë të raketave të Koresë së Veriut, ushtria amerikane ka nisur dislokimin e një sistemi mbrojtës kundër raketave në Korenë e Jugut.

Kjo u prit me protesta të banorëve të zonës ku do të instalohet sistemi. Të mërkurën demostruesit u ballafaquan me policinë, ndërsa kamionë që mbanin pajisje të sistemit “THAAD” u vendosën në një fushë të vjetër golfi.

Pjesë të këtij sistemi ishin dërguar në Korenë e Jugut në fillim të muajit mars.

Seuli dhe Uashingtoni sqaruan se qëllimi i vetëm i këtij sistemi të avancuar do të jetë mbrojtja prej raketave të Koresë së Veriut. Ata hodhën poshtë pretendimet e Kinës se sistemi përbën një kërcënim për sigurinë e këtij vendi.

Ndërkohë flotat detare të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara iu bashkuan stërvitjes ushtarake të Japonisë në ujërat perëndimorë të Gadishullit Korean.

Të martën mbërriti në një port të Koresë së Jugut edhe nëndetësja bërthamore amerikane “USS Miçigan”. Stërvitja detare përfundon të mërkurën.

Pheniani ka kryer disa prova me raketa balistike në muajt e fundit dhe besohet se po përgatitet për një provë të gjashtë bërthamore, megjithë kundërshtimin e fortë të Pekinit dhe sanksionet e ashpra ekonomike nga bashkësia ndërkombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG