Lidhje

Koreja e Jugut kreu një provë me raketë


Ushtria e Seulit është në nivelin më të lartë të sigurisë mbas provës më të fundit bërthamore të Koresë së Veriut

Koreja e Jugut kreu një provë me raketë sot, për të cilën zyrtarët e mbrojtjes thonë se kishte aftësinë për të goditur “kudo dhe në çdo kohë” Korenë e Veriut.

Ushtria e Seulit është në nivelin më të lartë të sigurisë mbas provës më të fundit bërthamore të Koresë së Veriut, veprim që nxiti dënimin ndërkombëtar të këtij akti dhe shtoi tensionet në gadishullin korean.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes tregoi aftësinë e raketës për të goditur në detaje objektivin e caktuar. Ai tha se raketa e nisur sot është një armë jashtëzakonisht preçize, e cila arrin të shkatërrojë objektivat e përcaktuar.

Ministria e Mbrojtjes nuk specifikoi rrezen e veprimit të raketës, por publikoi pamje të nisjes së saj nga një nëndetëse, si dhe foto të objektit të cilin ajo goditi në tokë.

Uashingtoni, mbas provës bëthamore të Koresë së Veriut ditën e martë, ka siguruar aleatët e tij në rajon për angazhimin ndaj sigurisë së tyre. Presidenti Obama premtoi mbrojtje bërthamore nga Shtetet e Bashkuara, gjatë një telefonate dje me kryeministrin japonez Shinzo Abe.
XS
SM
MD
LG