Lidhje

Pheniani thotë se do të riaktivizojë centralin Yongbyon


Koreja e Veriut thotë se po rifillon të gjitha operacionet në një reaktor bërthamor të mbyllur, duke ngritur edhe më tej tensionet në gadishullin Korean. Korea e Jugut e dënoi menjëherë vendimin.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut ka cituar zyrtarë të qeverisë që thonë se Pheniani do “rifillojë” operacionet në reaktorin Yongbyon, si për prodhimin e më shumë armëve ashtu edhe për prodhimin e energjisë elektrike për nevojat e vendit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve kjo përpjekje përfshin rifillimin e punës në një central bërthamor për pasurimin e uraniumit dhe në një reaktor bërthamor prej pesë megavatësh, nga i cili mund të nxirret plutonium që mund të përdoret për armë bërthamore. Reaktori u mbyll në vitin 2007 dhe kullat e tij të ftohjes u shkatërruan në shkëmbim të ndihmës ekonomike.

Ministria e jashtme e Koresë së Jugut e dënoi menjëherë vendimin Koresë së Veriut.

“Nëse njoftimet janë të vërteta, kjo është për të ardhur keq. Koreja e Veriut duhet të mbajë premtimin dhe të respektojë marrëveshjet për heqjen e armëve bërthamore nga gadishulli Korean. Qeveria jonë do ta ndjekë nga afër situatën”.

Ky hap pason kërcënimet disa javore të Phenianit, i cili është i zemëruar me sanksionet e ashpra të miratuara nga OKB-ja në përgjigje të provës së tij të tretë bërthamore dhe provës së fundit me raketa.

Një zëdhënës i Koresë së Veriut tha se puna për riaktivizimin e reaktorit do të fillojë menjëherë. Shkencëtarët thonë se për rifillimin e operacioneve në këtë reaktor do të duhet të paktën një vit derisa ai të mund të prodhojë plutonium të mjaftueshëm për prodhimin e një armë bërthamore.

Besohet se Pheniani ka një sasi plutoniumi që mjafton për prodhimin e tetë armëve bërthamore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG