Lidhje

Modeli gjerman i bashkimit dhe Gadishulli Korean


Më 9 nëntor shënohet 25 vjetori i rënies së Murit të Berlinit, një simbol i Luftës së Ftohtë që simbolizonte ndarjen mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo i hapi rrugën ribashkimit gjerman dhe fundit të regjimeve komuniste në Evropë. Por një relik i Luftës së Ftohtë ekziston ende në Azi, në gadishullin Korean, ku praktikisht nuk ka shenja të ribashkimit. A mund të shërbejë integrimi 25 vjeçar i Gjermanisë si model për Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut?

Kur qytetarët e Lindjes dhe Perëndimit në Berlin rrëzuan murin që ndau qytetin e tyre për tri dekada, imazhet e ngjarjes u panë në mbarë globin.

Por jo edhe aq në aleaten e ngushtë komuniste të Gjermanisë Lindore, Korenë e Veriut.

Në atë kohë Park Gun-ha ishte në të 20-tat dhe po përfundonte shërbimin ushtarak në Veri. Ai thotë se shumë pak informacion në lidhje me ribashkimin e Gjermanisë arriti të dëpërtonte në Korenë e Veriut.

Nuk na u tha pse dy Gjermanitë u ribashkuan, thotë ai. Ai kujton se media e Koresë së Veriut e përshkruante rënien e murit, si një rezultat i oportunistëve të korruptuar në Gjermaninë Lindore. Zoti Park thotë se ai nuk e mësoi historinë e plotë të kësaj ngjarjeje deri pasi dezertoi në Korenë e Jugut në vitin 2005.

Ndarja e gadishullit Korean është trashëgimi e gjatë e Luftës së Ftohtë. Mijëra familje mbeten të ndara nga zona e çmilitarizuar, dialogu ndërkufitar është i pakët dhe tensionet ushtarake shpesh janë të larta.

Por disa analistë thonë se përvoja gjermane mund të ndihmojë si model për dy Koretë drejt ribashkimit përfundimtar.

Bernhard Seliger kryeson Fondacionin gjerman Hanns Seidel, në Seul.

"Gjermania është padyshim një rast interesant për tu parë. Nuk ka shumë bashkime të suksesshme dhe që kanë ndodhur në mënyrë paqësore. Në këtë aspekt është e kuptueshme që koreanët të shikojnë rastin e Gjermanisë".

Por zoti Seliger thotë se ka po aq shumë dallime mes situatave në Gjermani dhe Kore sa ka dhe ngjashmëri.

Për shembull, ka një ndryshim më të madh ekonomik mes dy Koreve sesa në Gjermaninë e ndarë. Ka një mungesë të institucioneve të përbashkëta, si Kisha gjermane. Dhe ndryshe nga Evropa Perëndimore në atë kohë, mes vendeve në Azinë verilindore ka shumë mosmarrëveshje territoriale dhe historike të pazgjidhura.

Zoti Seliger thekson se bashkimi i Gjermanisë krijoi probleme të reja për vendin. U deshën shumë vite për të kapërcyer dallimet ekonomike dhe kulturore mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai thotë se ato kohë të vështira bënë që në fillim koeraonojugorët të kishin dyshime ndaj integrimit të stilit gjerman.

"10-15 vjet më parë, unë kam dëgjuar koreanojugorët të thoshin se nuk donin të ndiqnin rrugën gjermane. Ajo të çon nëpër sfida të mëdha ekonomike. Ajo të çon në përçarje të brendshme".

Ai thotë se u deshën dy dekada për zhdukjen e shumicës së pabarazive mes Gjermanisë lindore dhe asaj perëndimore.

Por Seliger dhe analistë të tjerë theksojnë se shpenzimet e mundshme të bashkimit këtu i bëjnë shumë të rinj nga Koreja e Jugut të humbasin interesimin për bashkim me Veriun.

Lars-André Richter, kreu i Fondacionit Friedrich-Nauman për Liri me bazë në Seul, thotë se pas gati 70 vitesh të ndarjes, kjo mungesë interesi nuk duhet të jetë e habitshme.

"Ata janë shumë të vegjël për të kujtuar, edhe prindërit e tyre janë shumë të rinj për të mbajtur mend Korenë e pandarë. Humbet lidhja emocionale".

Zoti Richter thotë se është ndryshe në Gjermani, ku ndarja e vendit zgjati rreth 40 vjet.

Dezertori i Koresë së Veriut Park Gun-ha, i cili tani punon për një shoqatë të ish-zyrtarëve qeveritarë të Koresë së Veriut në Seul, nuk është i sigurt nëse modeli i bashkimit të Gjermanisë është i përshtatshëm për rastin e bashkimit të dy Koreve. Ai vë në dukje se udhëheqësit gjermano-lindorë kishin rënë dakord për zbatimin e reformave përpara se vendi të bashkohej me Gjermaninë Perëndimore. Diçka e tillë është konsideruar e pamundur tani në Korenë e Veriut.

Park thotë se do të ishte një situatë ideale nëse qeveria e Koresë së Veriut do të bëhej më demokratike dhe në mënyrë paqësore do të lëvizte drejt ribashkimit, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Pheniani nuk do të heqë dorë nga pushteti i tij, thotë ai.

Park shton se ashtu si në Gjermani, bashkimi në gadishullin Korean do të ndodhë papritur, por vetëm pasi Koreja e Veriut të bjerë në kolaps.

XS
SM
MD
LG