Lidhje

Filmimet e fshehta në Korenë e Veriut nxitin reagime


Studentët e "Shkollës Ekonomike të Londrës” kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj BBC-së për shfrytëzimin e udhëtimit të një grupi studentësh të këtij universiteti në Korenë e Veriut për të realizuar fshehurazi një dokumentar mbi këtë vend të mbyllur. Të tjerët kanë shprehur mbështetjen e tyre për BBC-në, e cila thotë se programi është në interesin kombëtar në një kohë kur Koreja e Veriut po kërcënon me luftë bërthamore.

Tre gazetarët e BBC-së hynë në Korenë e Veriut, duke u paraqitur si studentë në një udhëtim universitar të organizuar nga Shkolla Ekonomike e Londrës. Këto janë disa nga pamjet filmike të realizuara fshehurazi, në afërsi të kryeqytetit të vendit, Phenian.

Sekretarja e përgjithshme e Unionit të Studentëve të Shkollës Ekonomike të Londrës, Alex Peters-Day thotë se studentët që ishin pjesë e grupit nuk ishin njoftuar për veprimin e gazetarëve të BBC-së.

“Ne u tronditëm se ata i vunë studentët tanë në rrezik, pa i njoftuar paraprakisht. Mendoj se është një lojë e turpshme dhe e papërgjegjshme me jetën e tyre. Mendoj se BBC ka luajtur me jetën e këtyre studentëve”.

BBC këmbëngul se i ka informuar të gjithë studentët për praninë e gazetarëve dhe rreziqet e udhëtimit. Por gazetari që drejtoi realizimin e dokumentarit, John Sweeney, thotë se hollësitë e plota janë fshehur qëllimisht.

“Ne ishim të shqetësuar nga mundësia e arrestimit tim. Në qoftë se unë do të arrestohesha, atëherë do të ishte më mirë që studentët të kishin sa më pak njohuri mbi këtë plan”.

Autoritetet e universitetit janë ankuar te BBC-ja në lidhje me veprimet e tyre. Disa nga studentët, të cilët ishin pjesë e këtij udhëtimi kanë marrë letra kërcënuese nga Koreja e Veriut.

James Hoare ka qënë ambasador i Britanisë në Korenë e Veriut.

“Një koreano-amerikan, që merrej me udhëtime turistike, mbahet ende i arrestuar në Korenë e Veriut se gjoja u ka shpërndarë CD banorëve të këtij vendi. Operacionet e fshehta në Korenë e Veriut janë të rrezikshme, dhe unë mendoj se rrezikimi i jetës së njerëzve gjatë këtij procesi është një gabim i madh”.

Por BBC thotë se pamjet e regjistruara tregojnë realitetin në Korenë e Veriut në një kohë kur udhëheqësi i saj po bën paralajmërime për luftë bërthamore. Ceri Thomas është drejtues i programeve të lajmeve në BBC.

“Ne nuk e kuptojmë se cilat janë motivet dhe synimet e këtij regjimi. Ne kemi pak qasje në këtë vend. Prandaj, realizimi i këtij dokumentari nga BBC është një pjesë e rëndësishme e gazetarisë në interes të publikut”.

Studentet e Shkollës Ekonomike të Londrës kanë mendime të ndryshme për këtë çështje.

“Nëse dokumentari i BBC ofron një aspekt të ri origjinal në krahasim me raportimet e përsëritura gazetareske që po ndodhin tani, atëherë ndoshta sakrifica e bërë nga shkolla jonë do të ishte e vlefshme”.

“Si një studente e doktoraturës, kur bëj punë në terren, unë ndjej se ajo mund të ketë ndikim mbi njerëzit të cilët besojnë në atë që bën”.


Shkolla Ekonomike e Londrës ka kërkuar anulimin e transmetimit nga frika se studentët e saj mund të ndëshkohen nëse zbulohet identiteti i tyre. BBC ka rënë dakord që të mbulojë fytyrën e studentëve të pranishëm në dokumentar, por nuk do ta anulojë transmetimin e dokumentarit.
XS
SM
MD
LG