Lidhje

Koreja e Veriut pritet të zgjedhë udhëheqjen e re

  • Zëri Amerikës

Koreja e Veriut njoftoi kohët e fundit se Partia e Punëtorëve në pushtet do të zhvillojë një mbledhje të rrallë në shtator për të zgjedhur udhëheqjen e re. Analistët thonë se gjendja shëndetësore e udhëheqësit Kim Xhong Il-it, si rezultat i një goditje cerebrale, mund të jetë shkaku i këtij transferimi të parakohshëm të pushtetit. Udhëheqësi i ri pritet të jetë Kim Xhong Un.

Që nga themelimi i shtetit më 1948, Koreja e Veriut ka njohur vetëm dy udhëheqës: Kim Xhong-Ilin dhe të atin e tij, Kim Ir-Seni.

Nëse Kim Xhong Uni, që shihet në këtë fotografi nga fëmijëria, zë vendin e të atit, do ta bënte Korenë e Veriut të vetmin vend komunist me pushtet të trashëgueshëm. I shkolluar në Zvicër dhe Korenë e Veriut, besohet të jetë rreth 27 vjeç. Por, nuk dihet shumë për të.

“Është e qartë se këto gjëra janë të turbullta, por duket se qeveria amerikane ka shqyrtuar mjaft burime, duke zhvilluar biseda me njerëz që kanë pasur kontakte me të. Nga këto të dhëna, del se kemi të bëjmë me një njeri që mund të ketë çrregullim personaliteti, mungesë të dhembshurisë, si dhe prirje tjera psikologjike që janë për t’u shqetësuar.”

Markus Noland është ekspert i çështjeve koreanoveriore pranë Institutit Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare. Ai thotë Kim Xhong-Ili udhëtoi kohë më parë në Kinë për të marrë pëlqimin e kinezëve për trashëgimin e pushtetit. Zoti Noland thotë se sipas disa informacioneve Kina nuk e dha pëlqimin për këtë.

“Kinezët, në bazë të këtyre thashethemeve, kishin kryer një studim të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara dhe kishin arritur në të njëjtat përfundime shqetësuese për Kim Xhong Unin dhe me mirësjellje sugjeruan që mbase duhet të shqyrtohen të tjera mundësi për udhëheqje.”

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare po dënon Korenë e Veriut për fundosjen e një luftanije koreanojugore, izolimi i Koresë së Veriut po rritet çdo herë e më shumë. Në takimin e fundit ekonomik të G-20 në Toronto, Presidenti Amerikan Barak Obama qëndroi krahpërkrah Presidentit Koreanojugor Lli Mjang-bak.

“Është absolutisht vendimtare që bashkësia ndërkombëtare t’i dalë krah Koresë së Jugut dhe t’i dërgojë mesazh të qartë Koresë së Veriut se këto sjellje janë të papranueshme.”

Koreja e Veriut u përgjigj me kërcënime për zgjerimin e kapaciteve bërthamore. Është kjo vetëm propagandë apo më tepër? Brus Klingnër është analist për Azinë Verilindore në Fondacionin Heritixh.

“Ka pasur raste në të kaluarën kur ata pretendonin se kishin armë më të fuqishme se armët bërthamore dhe ne u frikësuam se po bëhej fjalë për armë biologjike. Por, kjo armë kishte qenë shpirti i pathyeshëm i popullit koreanoverior.”

Analistët thonë se ky shpirt po dobësohet dhe vënë në pah pakënaqësitë në Korenë e Veriut, sidomos pas përpjekjeve katastrofale për reformë valutore vjeshtën e kaluar. Protestuesit në Korenë e Jugut nuk besojnë se Kim Xhong Un do të ndryshojë për të mirë.

“Askund në botë nuk ka monark trashëgimtar të tillë. Nuk mund të shpërfillim faktin se 22 milion njerëz po vuajnë nga regjimi i trashëgueshëm i Kim Xhong-Ilit.”

Analistët thonë se kalimi i pushtetit tek Kim Xhong Uni mund të fillojë me dhënien atij të një posti të ri.

XS
SM
MD
LG