Lidhje

Koreja e Veriut qëllon me artileri një ishull kufitar të Jugut

  • Zëri Amerikës

Koreja e Veriut qëllon me artileri një ishull kufitar të Jugut

Koreja e Veriut qëllon me artileri një ishull kufitar të Jugut

Koreja e Veriut qëlloi me breshëri artilerie një ishull kufitar të populluar që mbahet nga Jugu, duke bërë që forcat e Koresë së Jugut të përgjigjen me zjarr dhe të aktivizojnë avionët luftarakë.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se 2 ushtarë u vranë dhe 12 u plagosën gjatë këtij shkëmbimi zjarri, një ndër më të rëndët mes dy palëve që nga Lufta e Koresë. Sipas njoftimeve të medias, disa shtëpi morën flakë dhe dy civilë u plagosën. Më tepër se 1,000 banorë të ishullit Jon-Pjong u evakuuan dhe u dërguan nëpër strehime.

Presidenti Li Mjun Bak thirri një takim të ngutshëm të ministrave të sigurisë në përpjekje për të mos lejuar shkallëzimin e shkëmbimeve të artilerisë. Por qeveria e tij paralajmëroi se ushtria jugkoreane do të kundërpërgjigjet nëse sulmet vazhdojnë.

Shtetet e Bashkuara kërkuan që Koreja e Veriut të ndalte veprimet luftënxitëse dhe ritheksuan angazhimin e tyre ndaj mbrojtjes së Koresë së Jugut. Koreja e Veriut tha se incidenti ishte provokuar nga forcat e Jugut, të cilat ishin duke kryer manovra ushtarake në ishull, vetëm 12 kilometra larg brigjeve të Veriut. Por Jugu tha se forcat e tij po qëllonin në drejtim të detit dhe jo të brigjeve koreanoveriore.

Zyrtarët e Veriut thanë gjithashtu se do të vazhdojnë të ndërmarrin sulme ushtarake të pamëshirshme në rast veprimesh ushtarake në ato që ata i quajnë ujra të tyre territoriale. Banorët e Jon-Pjongut i thanë televizionit se në ishull ranë të paktën 50 predha ndërsa një numër akoma më i madh ranë në det. Jugu tha se u kundërpërgjigj me rreth 80 të shtëna artilerie.

Shkëmbimet e zjarrit ndodhin në një kohë kur tensionet janë rritur për shkak të pohimeve të Veriut se kanë një objekt të ri për pasurimin e uraniumit. Vetëm një muaj më parë, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Xhong Il shpalli të birin, Kim Xhong Un si pasues të tij.

XS
SM
MD
LG