Lidhje

Ekzekutohet i afërmi i udhëheqësit koreano-verior Kim


Koreja e Veriut ekzekutoi mbrëmë Jang Song Thaek-un, burrin e hallës të udhëheqësit Kim Jong Un, i cili deri kohët e fundit konsiderohej si një ndër këshilltarët kryesorë të zotit Kim.
Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, burimi zyrtar i lajmeve në Korenë e Veriut, tha se zoti Jang u ekzekutua dje pasi u shpall fajtor nga një gjykatë speciale ushtarake. Njoftimi i agjencisë së lajmeve e cilëson atë si “tradhtar të kombit, i cili infiltroi fraksione anti-parti dhe anti-revolucionare në përpjekje për të rrëzuar nga pushteti udhëheqjen e partisë dhe shtetit”.
Po sipas njoftimit, Jang, i cili u arrestua të dielën, akuzohej dhe për korrupsion, imoralitet, alkoolizëm dhe marrje droge. Artikulli i referohej atij me termin “fundërrinë njerëzore” dhe “më i ulët se një qen”.
Ekzekutimi i zotit Jang bëri që Koreja e Jugut të mbante sot një takim urgjent të sigurisë kombëtare, për të diskutuar pasojat e mundshme në stabilitetin e gadishullit Korean.
"Qeveria e Koresë së Jugut është thellësisht e shqetësuar për një seri zhvillimesh të kohëve të fundit në Korenë e Veriut dhe po e vëzhgon situatën nga afër. Ne do të sigurohemi që të jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë për të ardhmen në një mënyrë të qetë. Gjithashtu, qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e saj dhe kombet e përfshira," tha Kim Eui-do, zëdhënës i Ministrisë së Bashkimit i Koresë së Jugut.
Një profesor i Studimeve Koreano Veriore thotë se shqetësimi i Seulit për veprimeve të mundshme ushtarake nga ana e Veriut pas ekzekutimit nuk është i pabazë.
"Për të qetësuar çdo pakënaqësi të brendshme, është shumë e mundur që Kim Jong Un të ndërmarrë veprime të papritura si një provë e katërt bërthamore, nisja e raketave me rreze të gjatë veprimi apo çdo provokim tjetër kundër Koresë së Jugut."
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Wee Yong-sub, tha të premten Seul po monitoron lëvizjet ushtarake të Koresë së Veriut.
Departamenti i Shtetit tha se ishte e pamundur të konfirmohej njoftimi për ekzekutimin e zotit Jang. Por zëdhënësja Marie Harf shtoi se nuk ka arsye të vihet në dyshim njoftimi dhe nëse vërtetohet, ky është një shembull tjetër i “brutalitetit ekstrem” të regjimit koreano-verior.
XS
SM
MD
LG