Lidhje

Thirrje për sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut


Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre reaguan ndaj provës së pestë bërthamore të Koresë së Veriut me thirrjet për sanksione të reja, ndërsa Kina vazhdon të japë sinjale të paqarta nëse do të mbështesë veprime të mëtejshme ndëshkuese ndaj aleatit të saj tradicional. Në përgjigje të njoftimeve se Pheniani mund të jetë duke planifikuar një tjetër provë bërthamore, Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha sot se vendi komunist i ka aftësitë për ta bërë provën.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha se Veriu është i aftë për një provë tjetër bërthamore:“Vlerësimi i organeve jugkoreane dhe amerikane të zbulimit lidhur me provën tjetër bërthamore të Phenianit është se Korea e Veriut është gjithmonë e gatëshme për një provë tjetër”, tha zëdhënësi.

Koreja e Jugut është duke koordinuar me Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe vende të tjera për shtimin e sankioneve kundër Koresë së Veriut në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ushtria amerikane do të dërgojë nga ishulli Guam për në Korenë e Jugut aeroplanin bombardues me rreze të gjatë veprimi B-1B, por dislokimi është shtyrë si rezultat i motit të keq.

Presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, zhvilloi një takim emergjent sot me udhëheqësit e partive kryesore politike të vendit në shenjë uniteti përballë kërcënimit bërthamor në rritje nga Pheniani.

Masat e reja mund t’i shtohen listës së artikujve të ndaluar për eksport dhe të zgjerojnë listën e zezë të individëve koreano-veriorë dhe subjekteve të lidhura me programet ushtarake dhe armatimit të Phenianit.

Ndërkohë, përmes medias shtetërore, Pheniani e quajti “të pakuptimtë” dhe “shumë qesharake” thirrjen e Shteteve të Bashkuara për sanksione të reja.

XS
SM
MD
LG