Lidhje

SHBA: Kërcënimet e Koresë së Veriut shqetësuese


Shtetet e Bashkuara thonë se janë të shqetësuara në lidhje me paralajmërimin e fundit të Koresë së Veriut se mund sulmojë objektivat amerikane në Guam, Hawai dhe në kontinentin amerikan.
Zëdhënësi i Pentagonit George Little tha se Koreja e Veriut duhet të ndalojë “kërcënimet ndaj paqes”, duke theksuar se retorika të tilla nuk ndihmojnë askënd.
Përveç kërcënimeve me sulme me raketa kundër Shteteve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka thënë se “të gjitha njësitë e artilerisë, përfshirë njësinë strategjike të raketave me rreze të gjatë veprimi” janë vendosur në “gjendje gatishmërie për luftë”.
Kjo është vala e fundit e një serie kërcënimesh nga Pheniani kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre aziatikë. Raketat e Koresë së Veriut nuk besohet se janë të afta të godasin territorin e SHBA-ve në kontinentin amerikan.
Koreja e Jugut thotë se zyrtarët e mbrojtjes që po e vëzhgojnë nga afër situatën nuk kanë parë aktivite të dyshimta ushtarake të Koresë së Veriut.
Deklaratat e fundit ndodhën menjëherë pasi Presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye paralajmëroi Phenianin të heq dorë nga planet për prodhimin e armëve bërthamore dhe të ndalë provokimet. Ajo tha se kjo është mënyra e vetme për mbijetim për Korenë e Veriut.
XS
SM
MD
LG