Lidhje

Gjendje e lartë gatishmërie në Korenë e Jugut

  • Steve Herman

Po shtohen shqetësimet në Azinë verilindore se Koreja e Veriut po përgatitet për një provë tjetër me raketë. Mendohet se këtë radhë regjimi komunist mund të bëjë manovra me një numër raketash njëkohësisht.

Forcat amerikane dhe ato të Koresë së Jugut janë në gjendje të lartë gatishmërie, një shkallë më poshtë gjendjes së luftës. Ngritja e gjendjes së gatishmërisë bëhet ndërkohë që ka sinjale se Koreja e Veriut po përgatitet për prova të reja me raketa.

Ministri i Jashtëm Yun Byung-se, në komentet para një komisioni të parlamentit në Seul, u shpreh se Koreja e Veriut është gati të hedhë një raketë balistike me rreze të mesme veprimi të tipit Musudan:

Ministri tha se të dhënat e shërbimeve të zbulimit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se mundësia e hedhjes së një rakete nga Koreja e Veriut është shumë e lartë. Sipas tij, raketa Musudan ka një rreze veprimi prej 3500 kilometrash.

Agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap thotë se janë vërejtur edhe pajisje të tjera që mendohet se shërbejnë për hedhjen e raketave të tipeve të tjera në provincën Hamgyong i Jugut në bregun lindor.

Admirali amerikan Samuel Locklear foli më parë para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura në Uashington ku dëshmoi se të paktën një raketë me rreze të mesme veprimi ishte dërguar në bregun lindor të Koresë së Veriut. Sipas admiralit, Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë ta interceptojnë raketën që mund të hedhë Koreja e Veriut dhe që mund të kërcënojë bazat amerikane apo aleatët e Amerikës në Paqësor.

Shtetet e Bashkuara kanë një plan me Korenë e Jugut për t’iu përgjigjur provokacioneve. Admirali Locklear nuk pranoi të jepte hollësi të planit gjatë dëshmisë së hapur:

“Unë e mbështes planin dhe mendoj se është plan i mirë. Do të vazhdojmë të bëjmë ndryshimet e duhura në rrjedhën e kohës”.

Megjithë shkallëzimin e tensioneve në gadishull, në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ku jetojnë mbi 20 milionë vetë, ose afro gjysma e popullsisë koreano-jugore, jeta vazhdon me ritme normale dhe pa nota paniku.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG