Lidhje

Reagime për provën bërthamore të Phenianit


Prova shton shqetësimet mbi shtimin e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut

Pas tre javë paralajmërimesh luftënxitëse, Koreja e Veriut kreu provën e saj të tretë të një programi armësh bërthamore që e ka zanafillën në vitet 60. Korrespondenti Mark Snowiss i Zërit të Amerikës shpjegon se çfarë tregon kjo provë në lidhje me progresin teknik të Phenianit dhe se si pritet të reagojnë fuqitë e mëdha.

Vlerësimet paraprake tregojnë se prova e fundit bërthamore e Koresë së Veriut ishte më e fuqishmja e saj deri tani. Presidenti amerikan Barak Obama e quajti atë një "akt tepër provokativ". Komenteve të tij i bënë jehonë shumë shpejt qeveri nga e gjithë bota, duke përfshirë Korenë e Jugut, Japoninë, Kinën dhe Rusinë.

Ish zyrtari i Departamentit të Shtetit Mitchell Reiss thotë se prova e nëndheshme është konfirmim i mëtejshëm se Pheniani po shkon “metodikisht dhe në mënyrë të qëllimshme” drejt raketës së përparuar balistike dhe kapacitetit të armëve bërthamore. Ai thotë se kombinimi i të dyjave është shumë shqetësues.

"Është mjaft alarmante edhe po të ishte se e bënin secilën prej tyre veç e veç, por kombinim i të dyjave paraqet rrezik të konsiderueshëm për Shtetet e Bashkuara si dhe për miqtë dhe aleatët tanë në rajon."

Analisti Bruce Klingner, i specializuar për Korenë e Veriut në Agjencinë Qendrore të Zbulimit, thotë se edhe pjesa kontinentale e Shteteve të Bashkuara është në rrezik në rritje nga përparimi i Koresë së Veriut, ku përfshihet prova e sukseshme që ata kryen në dhjetor me raketë me rreze të gjatë veprimi.

"Zyrtarët e Koresë së Jugut, pasi analizuan mbeturinat e raketave të nxjerra nga thellësia e oqeanit, vlerësuan se raketa mund të ketë shkuar 9500 apo edhe 16.000 kilometra, që do të kërcënonte jo vetëm Havajin dhe Alaskën , por edhe pjesën kontinentale të SHBA."

Koreja e Veriut pretendon se gjatë provës të së martës përdori një pajisje më të vogël dhe më të lehtë bërthamore me kapacitet më të fuqishëm shpërthimi sesa më parë.

Klingner thotë se vëzhguesit shpesh e kanë minimizuar përparimin e Koresë së Veriut pasi provat e saj me raketa me rreze të gjatë veprimi kishin dështuar deri në dhjetor. Por ai thotë se prova e dhjetorit tregoi se Veriu është i aftë të hedhë një satelit në orbitë– i njëjti kapacitet që kërkohet për të hedhur një raketë me mbushje bërthamore “në çdo cep të globit."

Analisti Reese thotë se shpërthimi përbën një dilemë serioze për administratën Obama dhe grupin e ri të drejtuesve në Kinë, Korenë e Jugut dhe Japoni.

"Kryesorja është se koreano-veriorët kanë marr një vendim strategjik për të qënë një shtet me armë të fuqishme bërthamore. Sfida tani është cfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë në rajon, vecanërisht kinezët”.

Klingner thotë se prova e së martës e bën skeptik lidhur me reagimin e Kinës, e cila ka lidhje të ngushta ekonomike me Korenë e Veriut.

"Kjo tregon qartë se sa pak ndikim ka Pekini, apo sa pak i gatshëm është ai për ta përdorur atë… Në fakt, shtimi i lidhjeve ekonomike me Veriun minon çdo nismë që Koreja e Veriut të kthehet në bisedimet gjashtë palëshe”.

Pas shpërthimit, Pheniani tha se prova tregoi se forca e saj bërthamore është diversifikuar, duke ngritur pikëpyetje nëse Kora e Veriut përdori uranium të pasuruar apo plutonium të ripërpunuar si në shpërthimet e mëparshme.

Kjo i shqetëson Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë, sepse ndonëse Veriu ka plutonium të mjaftueshëm për gjashtë deri në tetë bomba, ai mund të prodhojë uranium në të ardhmen.

Asnjë nga fuqitë kryesore botërore nuk dëshiron që Koreja e Veriut apo Irani të bëhen shtete bërthamore, por mbetet për t’u parë nëse ata do të jenë në gjendje ta parandalojnë një gjë të tillë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG