Lidhje

Disidentja koreanoveriore: Kim Jong Un i ri dhe pa përvojë


Ndërkohë që tensionet në Gadishullin Korean po shkallëzohen pasi Pheniani u ka kërkuar të huajve të largohen, shumë qeveri po përpiqen të kuptojnë arsyet e provokimieve të vendit komunist ndaj fqinjëve dhe vendeve të tjera. Analistët kanë shprehur pikëpamje të ndryshme lidhur me arsyet se pse udhëheqësi i ri i Koresë së Veriut Kim Jong Un është përqëndruar në forcimin e ushtrisë se sa për të përmirësuar gjendjen e popullit të tij të varfër.

Një ish-agjente e Koresë së Veriut e cila tani jeton në Korenë e Jugut ka dhënë një pasqyrim të rrallë të mënyrës se si funksionon ky shtet i fshehtë dhe udhëheqësi i tij i ri.

“Kim Jong Un është shumë i ri dhe pa përvojë. Ai po ndeshet me vështirësi në përpjekjet për të marrë kontrollin e plotë mbi ushtrinë dhe për të fituar besimin e tyre”.

Kim Hyun Hee foli për televizionin ABC të Australisë në një vend të fshehtë. Ajo ka ndihmuar në vendosjen e një bombe në një avion të Koresë së Jugut në vitin 1987 që vrau 115 persona. Autoritetet koreanojugore e kapën dhe e dënuan me vdekje. Por ajo u fal me arsyen se ishte e manipuluar nga veriu.

Zonja Kim thotë se kërcënimet e Kim Jong Un-it bëhen për arsye të caktuara.

“Koreja e Veriut është duke përdorur programin e saj bërthamor për të kontrolluar njerëzit dhe për të detyruar Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të bëjnë lëshime”.

Disa analistë janë dakord me këtë vlerësim. Suzanne DiMaggio, eksperte në organizatën Shoqëria e Azisë, thotë se regjimi koreanoverior është kryesisht në kërkim të mënyrave për të mbajtur pushtetin.

“Nga pikëpamja ekonomike dhe humanitare situata në Korenë e Veriut është shumë e vështirë. Prandaj ndoshta regjimi është duke përdorur 15 prillin, Ditën e Themeluesit të vendit, dhe demonstrimin e fuqisë së tij ushtarake, si një mënyrë për të tërhequr mbështetjen e popullit dhe për të ushqyer nacionalizmin brenda vendit në mbështetje të udhëheqësit të ri”.

Analistët ushtarakë thonë se pavarësisht nga kërcënimet, ushtria e Koresë së Veriut e cila përbëhet nga 1.2 milionë njerëz nuk po tregon shenja të përgatitjes për luftë. Por ata thonë se Pheniani mund të angazhohet në disa veprime provokuese, si hedhja e një rakete ose realizimi i një prove me armë bërthamore, për të shënuar ditëlindjen e themeluesit të Koresë së Veriut dhe gjyshit të udhëheqësit aktual, Kim Il Sung.
XS
SM
MD
LG