Lidhje

Koreja e Jugut ndjek me vëmendje veprimet e Veriut

  • Steve Herman

Ushtria e Koresë së Jugut ka deklaruar se është e gatshme t’i përgjigjet çdo provokimi nga Pheniani, në kushtet e aktivitetit në rritje nga avionët luftarakë të Koresë së Veriut.
Komandanti i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut të enjten tha se po i ndjek me “vëmendje lëvizjet e Koresë së Veriut” pas një numri të konsiderueshëm të dislokimit të avionëve nga ana e Koresë së Veriut në afërsi të hapësirës ajrore të Koresë së Jugut në javët e fundit.

Një zëdhënës i komandandit të ushtrisë koreanojugore nuk dha hollësi në lidhje me aktivitetin e forcave koreanoveriore. Por njoftohet se avionët e Koresë së Veriut kanë bërë dhjetra fluturime të përditshme, disa prej të cilave u janë afruar rajonit që njihet si Linja e Veprimit taktik. Ky rajon ndodhet rreth 20 deri 50 kilometra në veri të hapësirës ajrore të Koresë së Jugut. Çdo avion që i afrohet kësaj pike detyron ngritjen e avionëve luftarakë të Koresë së Jugut.

Një zyrtar në ministrinë e mbrojtjes, i cili foli për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, tha se asnjë prej avionëve të Koresë së Veriut nuk ka hyrë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut. Por të martën një fluturim një orësh i një avioni luftarak të Koresë së Veriut SU-25 bëri që Koreja e Jugut të aktivizojë katër avionë luftarakë. Avioni luftarak, i cili mund të arrijë shpejtësinë deri në 950 kilometra në orë, iu afrua ishullit Gangwha të Koresë së Jugut, në veri të Aeroportit Ndërkombëtar Incheon, dhe pastaj kaloi për disa minuta mbi qytetin kufitar Kaesong, para se të kthehej në veri.

Në një fjalim të mbajtur në Varrezat Kombëtare me rastin e Ditës së Dëshmorëve, Presidenti Lee Myung-bak nuk iu referua drejtpërdrejt fluturimeve provokative një ditë më parë, por e këshilloi Phenianin të jetë i kujdesshëm. Presidenti Lee tha se Koreja e Jugut ka një rrjet të pa depërtueshëm të sigurisë dhe do ta mbrojë paqen në gadishullin Korean, duke iu përgjigjur çdo provokimi me një ndëshkim të ashpër.

Në të njëjtën ditë, 200 kilometra në veri, kreu i ri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, doli përpara një audience me mijëra nxënës dhe mbajti fjalimin e tij të dytë publik, që kur mori pushtetin vitin e kaluar.

Zoti Kim u tha fëmijëve se “duhet të bëhen revolucionarë të rinj dhe të mos kenë frikë nga vdekja” në përpjekjet për të mbrojtur partinë e punëtorëve. Në fillim të kësaj jave, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut ka kërcënuar me sulme mediat konservatore në Seul, për shkak të fyerjeve që kanë bërë ndaj udhëheqësit të ri të Koresë së Veriut. Pheniani paralajmëroi se nëse Korea e Jugut nuk kërkon ndjesë, ajo të përballet me “një luftë të pamëshirëshme”.

Edhe pse retorikat e këtij lloji janë të zakonshme, disa analistë thonë se Pheniani tani po bën më shumë se sa vetëm fjalë. Ata gjithashtu theksojnë se Koreja e Veriut është fajësuar për bllokimin e sinjaleve satelitore kohët e fundit, që ka prekur avionët dhe anijet tregtare në Korenë e Jugut. Analistët thonë se provokimet ushtarake të Koresë së Veriut mund të jenë pjesë e një procesi nga forcat ushtarake atje, për të treguar besnikërinë ndaj zotit Kim dhe për të treguar se ai është i aftë dhe i fortë, ashtu si babai dhe gjyshi i tij.
XS
SM
MD
LG