Lidhje

Korpusi i Paqes shënon 50 vjetorin e themelimit

  • Deborah Blok

Korpusi i Paqes shënon 50 vjetorin e themelimit

Korpusi i Paqes shënon 50 vjetorin e themelimit

Para 50 vjetësh, Presidenti John F. Kennedy krijoi Korpusin e Paqes për të nxitur paqen dhe miqësinë mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Por u desh një vit i tërë deri sa në gusht 1962, grupi i parë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes të nisej për në Afrikë. Që atëhere, 200 mijë vullnetarë kanë shërbyer si punonjës shëndetsie, mësues dhe këshilltarë teknikë në shumë vende të botës.

Në gusht 1962, Presidenti Kennedy përshëndeti vullnetarët e pare të Korpusit të Paqes. Ata do të niseshin me shërbim në Afrikë.

“Fakti që ju jeni të gatshëm ta bëni këtë për vendin tone, dhe në një kuptim më të gjerë, ashtu siç e thotë edhe emri, për kauzën e paqes e të mirëkuptimit, duhet t’i bëjë të gjithë amerikanët krenarë, admirues dhe shumë pozitivë”.

Vullnetarët ishin kryesisht në të 20-tat, të sapodiplomuar dhe plot ideale. Por Barbara Joe, priti deri sa u bë 62 vjeç që të shërbente në Korpusin e Paqes.

“Gjithnjë e kisha dëshirë, që nga viti 1961, që një ditë të shërbeja në Korpusin e Paqes. Ne patëm fëmijë, u transferuam disa herë, unë u divorcova, humba djalin, edhe një djalë tjetër të adoptuar. Dhe më në fund mendova se kishte ardhur koha të shkoja”.

Para 11 vjetësh, Barbara shkoi në Honduras, ku shërbeu si punonjëse shëndetsie. Përvoja e ndihmoi atë të shëronte plagët e saj të së kaluarës.

“Mu dha mundësia që të ndihmoj prindërit në Honduras, që kishin humbur fëmijët”.

Barbara thotë se megjithëse puna në Honduras ishte plot sfida, përvoja ishte aq pozitive, sa që ajo vendosi të shërbejë edhe për një dy-vjeçar tjetër.

Ajo shkroi një libër rreth përvojës së saj me titull "Shpresa dhe Triumfi", në fakt emrat e fshatrave, ku ajo shërbeu.

Ajo thotë se vetëm 7 për qind e vullnetarëve të Korpusit të Paqes janë të moshës mbi 50 vjeçare, madje ajo shpreson që më shumë njerëz të kësaj moshe të shërbejnë në korpus.

“Në vendet në zhvillim, ky grup-moshë gëzon më shumë respekt. Së dyti, ata kanë përvojë nga jeta e tyre. Ata nuk depresionohen, nuk i merr edhe aq shumë malli për të afërmit, kjo ishte përvoja ime, dhe shpesh ata kanë më shumë talente”.

Emily Doerr ishte një vullnetare më tipike. Ajo shërbeu në Korpusin e Paqes pas kolegjit. Para 4 vjetësh, ajo shkoi në Mali, jetoi në një fshat, mësoi gjuhën dhe nisi të edukojë banorët rreth të ushqyerit.

“Një prej ndikimeve më të mëdha të vullnetarëve të Korpusit të Paqes është fakti se ne integrohemi, flasim gjuhën e vendit, vishemi si banorët vendas dhe ndonëse nuk integrohemi plotësisht, bëjmë të gjitha përpjekjet për këtë qëllim”.

Ajo thotë se hyri në Korpusin e Paqes si idealiste, por në përfundim u bë më realiste.

“Zhvillimi nuk është i lehtë dhe nuk ndodh menjëherë”.

Emily thotë se përvoja e saj në Korpusin e Paqes ia bëri më të lehtë të gjente punë në fushën e zhvillimit ndërkombëtar.

Tani ajo punon në projekte arsimi për Agjencinë e Zhvillimit Ndërkombëtar, organizatë qeveritare, që siguron ndihma humanitare për vende të tjera.

“Korpusi i Paqes më dha një përvojë shumë të mirë. Mendoj se punëdhënësit e vlerësojnë këtë aspekt sepse ata duan të kenë punonjës që e bëjnë punën pa nevojën e mikro-menaxhimit ose pa iu thënë se ç’të bëjnë”.

Tani Barbara është përkthyese e gjuhës spanjolle në Uashington. Ajo shkon në Honduras thuajse çdo vit me një grup që dërgon furnizime mjeksore dhe operon fëmijët në komunitete të varfëra.

Ajo është 73 vjeç dhe do të donte të shërbente përsëri si vullnetare e Korpusit të Paqes.

“Kur të arrij moshën 80 vjeçare, do ta lë profesionin e përkthyeses dhe do të doja të shkoja diku me Korpusin e Paqes për 6 muaj. Korpusi e ka një program të tillë, për vullnetarët e mëparshëm”.

Barbara dhe Emily thonë se Korpusi i Paqes ndryshoi jetën e tyre, madje ato shpresojnë të kenë ndryshuar jetën e të tjerëve.

XS
SM
MD
LG