Lidhje

Korrupsioni në qeveri dhe biznes, mjaft i përhapur

  • Jeffrey Young

Pjesa më e madhe e transferimit të parave vjen nga evazioni fiskal

Korrupsioni shkakton largimin e fondeve nga shumë vende, ku ato janë mjaft të nevojshme dhe krijon një klimë në të cilën sundimi i ligjit nuk respektohet. Një organizatë që vëzhgon nivelin e korrupsionit në vende të ndryshme, ka publikuar kohët e fundit një listë të vendeve, në të cilat format e ndryshme të korrupsionit bëjnë që sasi të mëdha parash të transferohen jashtë. Këto fonde që mund të ishin investuar në ekonomitë vendëse, me pak fjalë janë para që fluturojnë nga duart e popullit.

Kostoja e korrupsionit është marramendëse. Nga viti 2001 deri më 2010, nga 150 vende në zhvillim dolën në mënyrë të paligjshme 5.86 trilion dollarë, sipas një organizate të quajtur Integriteti Financiar Global, e njohur me inicialet GFI.

Kina ishte në krye të listës me 2.75 trilion dollarë të transferuara në mënyrë të paligjshme.

E dyta renditej Meksika me më shumë se 476 miliardë, ose 4,500 dollarë per banor. Nga të 143 vendet e listës, Shqipëria zinte vendin e 106, me 1.3 miliardë dollarë të transferuara jashtë mes viteve 2005 dhe 2010. Kjo është e barabartë me rreth 430 dollarë për banor.

Imazhi i rëndomtë i korrupsionit, një zyrtar që kërkon rryshfet, përfaqëson vetëm 3 deri në 5 përqind të totalit, sipas drejtorit të organizatës, Raymond Baker.

"Një pjesë e mirë e largimit të parave ka si shkak aktivitetin kriminal, i cili zë 30-35% të shumës globale. Por pjesa më e madh e problemit është evazioni fiskal, i cili kap rreth 60-65% të totalit.”

Sipas zotit Baker, transferimi i kaq shumë parave kërkon një sistem financiar paralel në shkallë botërore:

"Elementët bazë të këtij sistemi janë fshehja e financave, kompanitë që maskojnë identitetin, llogaritë bankare anonime dhe fonadacionet e rreme bamirëse. Manipulimi i faturave tregtare dhe teknikat e ndryshme të pastrimit të parave janë pjesë e këtij sistemi.”

Organizata thotë se një nga "vrimat e zeza" financiare më të mëdha të botës janë Shtetet e Bashkuara, ku mund të krijosh lehtë kompani anonime të cilat mund t'i përdorësh si mjet për transferim parash.

Organizatat që vëzhgojnë korrupsionin thonë se sekreti bankar në vendet perëndimore si Zvicra apo në disa vende të Karaibeve, tërheq paratë e korrupsionit dhe lehtëson lëvizjen e tyre.

Megjithtëse korrupsioni është i përhapur, lufta kundër tij po forcohet dhe po përhapet në të gjithë globin.

Që nga themelimi në vitin 1993, organizata Transparency International punon për të bindur vendet e ndryshme që aktivitetet e tyre të jenë të hapura për publikun. Krahas kësaj, teknologjitë e reja dhe zhvillime të tjera u kanë dhënë qytetarëve kudo në botë mjete më të mira për të kërkuar një hapje të tillë. Ja ç'thotë bashkëthemeluesi i kësaj organizate, Frank Vogl:

"Në sajë të internetit dhe rritjes së jashtëzakonshme të shoqërisë civile kudo në botë, falë medias sociale, gazetarisë investigative dhe prokurorëve të guximshëm, publiku sot di më shumë se kurrë më parë rreth abuzimeve me postet publike. Ai është më i informuar për korrupsionin."

Në disa materiale të ardhëshme, ne do të flasim më me hollësi për aspektet e shumta të korrupsionit si në qeveri ashtu edhe në biznes, si dhe mbi mënyrat për ta luftuar atë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG