Lidhje

Transparency: Në Shqipëri korrupsioni u rrit

  • Armand Mero

Sipas raportit të publikuar sot 66 përqind e qytetarëve shqiptarë mendojnë se fenomeni është përhapur më tej gjatë dy viteve të fundit

Raporti i Transparency International, mbi Barometrin Global të korrupsionit tregon se në Shqipëri fenomeni ka pësuar një rritje gjatë dy viteve të fundit. Kjo është pohuar nga 66 përqind e shqiptarëve të pyetur. Më shumë se shumica besojnë se masat e ndërmarra nga qeveria nuk kanë qenë efikase, ndërsa sistemi gyqësor dhe shëndetësia vazhdojnë të renditen si ndër më të korruptuarit.

Shqipëria renditet në bisht të vendeve të Ballkanit për përhapjen e fenomenit të korrupsionit. Kjo është e dhëna e publikuar sot nga raporti i Transparency International, i bërë publik nga dega e saj në Tiranë e që bazohet në deklarimet e qytetarëve shqiptarë. “Të pyetur se si ka ndryshuar niveli i korrupsionit në vend gjatë 2 viteve të fundit, 66 % e Shqiptarëve mendojnë se është rritur, 25 % se ka qëndruar i pandryshuar dhe 9 % mendojnë se ka pësuar rënie.


Ky nivel perceptimi, i njëjtë edhe për Kosovën, i rendit dy shtetet shqiptare në fund të klasifikimit për Ballkanin Perëndimor (në Bosnie&Hercegovinë 65 % mendojnë se është rritur, në Maqedoni 41 %, në Kroaci 21 %, në Serbi 8 %)”, shpjegoi Inesa Hila, koordinatore e Transparency International për Shqipërinë.

Sipas Barometrit të TI, 74 përqind e shqiptarëve kanë deklaruar se u është kërkuar të japin ryshfet, dhe 21 përqind e tyre pranojnë ta kenë bërë këtë. Shumica e tyre deklarojnë se masat e ndërmarra nga qeveria nuk kanë qenë efikase: “Në Shqipëri, 58 % e të anketuarve mendojnë se veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit kanë qenë joefektive, 30 % as efektive as joefektive dhe vetëm 12 % janë të mendimit se kanë qenë efektive. Nga ana tjetër, pyetjes se a besojnë se njerëzit e zakonshëm mund të sjellin ndryshim në luftën kundër korrupsionit, 59 % e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor mendojnë që po, ku nivele të larta vihen re për Shqipërinë dhe Kosovën (respektivisht 75 % dhe 79 % e të anketuarve besojnë se njerëzit janë kontributorë kryesorë të ndryshimit për ta luftuar fenomenin. Por vetëm 51 % e shqiptarëve priren të denoncojnë një rast korruptiv, kjo nisur nga arsyeja e një besimi të ulët tek institucionet duke menduar se rasti nuk do të gjejë zgjidhje (50%) ose patur frikë nga pasojat e denoncimit (26%)”, tha Hila

Një situatë e tillë shpjegohet dhe me faktin se sistemi gjyqësor rezulton se vazhdon të konsiderohet si më i korruptuari: “Në një shkallë nga 1 në 5 (1=aspak të korruptuara; 5=shumë të korruptuara), institucionet më të korruptuara në Shqipëri perceptohet të jenë gjyqësori dhe sistemi shëndetësor (4.3 pikë), të ndjekura nga partitë politike, sistemi arsimor, parlamenti/legjislativi, policia etj”, deklaroi për Shqipërinë.

Cështja e korrupsionit përmendet në të gjithë raportet ndërkombëtare për Shqipërinë ky vlerësohet se fenomeni është gjerësisht i përhapur. Lufta ndaj tij mbetet një kërkesë e vazhdueshme ndaj autoriteteve shqiptare dhe një prej sfidave në përparimin drejt integrimit europian të vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG