Lidhje

Korrupsioni, ende një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare


Korrupsioni, ende një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare

Korrupsioni, ende një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare

Analistët e jetës politike e sociale të Shqipërisë pohojnë se korrupsioni ekziston në një nivel ende të lartë në administratën shtetërore. Ashtu si qytetarët në sondazhe, edhe ata mendojnë se korrupsioni është i përhapur gjerësisht në shoqëri dhe në nivele të larta të piramidës shtetërore. Në Qendrën për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve japin detaje të reja akoma më pesimiste lidhur me luftën e munguar kundër korrupsionit. Drejtuesi i saj, Ilir Alia, thotë se ka vlerësime pozitive për prokurimet elektronike, dhe shërbimet e shpejta One Stop Shop, por mungojnë vëzhgimet mbi ecurinë e këtyre proceseve praktikisht në terren. Nga një monitorim më i fundit i kësaj qendre doli se tashmë ka abuzime edhe me tenderat dhe prokurimet elektronike, sepse ne disa raste nuk respektohen konkurrentët dhe nuk lidhen kontrata me fituesit e parë.

“Unë kam kryer një monitorim mbi punën e prokurimeve publike. Doli se edhe tek prokurorimet elektronike në bashki, komuna apo ministri të ndryshme nuk merret parasysh kush del i pari në bazë të punës së konkurrentit, apo çmimit që ka dhënë, por aty shfaqen probleme shumë të thella dhe shumë të mëdha” - tha ai.

Vëzhgime të ndryshme tregojnë me fakte se korrupsioni vazhdon të jetë një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare. Zoti Alia thotë se dokumenti më i fundit është raporti i progresit i Bashkimit Europian për Shqipërinë, i cili përshkruan gjendjen dhe tregon se sa punë duhet të bëhet akoma kundër korrupsionit.

“Në një nga rastet e monitorimit, ndodhi që ishte bërë një tenderim elektronik, ishte shpallur fituesi, ky kishte shkuar për të lidhur kontratën, por nuk mundej, sepse autoriteti kontraktues e kishte lidhur më parë kontratën me kompaninë që kishte dalë e dyta. Autoriteti kontraktor nuk e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë që doli e para, pra, që kishte fituar tenderin. Autoriteti jep asnjë sqarim, por vetëm thotë: Unë jam autoriteti kontraktues dhe e firmos kontratën me atë që dua unë” - shtoi zoti Alia.

Qytetarët dhe analistët mendojnë se rruga më e mirë për të luftuar korrupsionin është goditja e tij në zyrat e larta shtetërore, sepse ekziston gjerësisht mendësia se kur vjedh i madhi, atëherë pse të mos vjedhë edhe nëpunësi i vogël. Sipas tyre, kur të goditen zyrtarë të lartë të korruptuar, atëherë rryshfeti edhe në nivelet më të ulta do të pushojë së ekzistuari. Redaktor i njohur i televizionit Top Channel, Mentor Kikia, thotë se korrupsioni dhe pagimi i rryshfetit është shndërruar tashmë në normalitet. Aq normal është bërë tashmë korrupsioni, sa që sipas tij, qytetarët paguajnë rryshfete në shuma të paracaktuara me një listë të përpiktë çmimesh edhe për shërbimet më të zakonshme që duhet të marrin falas në institucionet shtetërore publike, në spitale, klinika, zyra bashkie e komunale; kudo ku kanë një hall apo u nevojitet një dokument. Zoti Kikia thotë se qytetarët nuk denoncojnë më sepse nuk kanë më besim tek lufta kundër korrupsionit.

“Një studim i fundit i INSTAT-it, institutit shtetëror të statistikave, tregon se shqiptarët nuk kanë kurajon ta denoncojnë atë që paguan, ose atë që merr rryshfetin. Ata i janë nënshtruar këtij fenomeni dhe janë duke e vuajtur. Mungesa e bashkëpunimit dhe e denoncimit nga ana e qytetarëve vjen si pasojë e mungesës së besimit. Në të gjitha sondazhet dhe studimet e kryera, besimi i qytetarëve shqiptarë tek drejtësia është në minimumin historik” - thotë ai.

Organet e drejtësisë janë në krye të listës së korrupsionit, krahas mjekëve, tatimorëve dhe doganierëve. Analistët mendojnë se korrupsioni është shumë i përhapur, sepse po aq i përhapur është mosndëshkimi i krimit nga drejtësia, duke filluar nga sferat më të larta shtetërore. Zoti Kikia thotë se asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për abuzimet me tendera, fonde publike. Vetë drejtësia, sipas tij, perceptohet nga qytetarët si sistemi më i korruptuar në vend, duke nisur që nga prokuroria që nuk hap hetime ndaj zyrtarëve të përfolur, dhe deri tek gjyqtarët që nuk guxojnë t’i dënojnë ata.

“Edhe ato pak çështje që janë përgatitur nga prokuroria dhe kanë shkuar në gjykatë nuk janë dënuar. Disa ministra, deputetë apo zyrtarë të rangjeve më të ulëta që kanë përfunduar në gjykatë sot janë të gjithë të lirë, të gjithë pandëshkuar dhe madje janë edhe krenarë, kur kërkojnë të forcojnë kreditet e tyre politike, duke thënë që ata e kaluan provën në duart e drejtësisë. Të gjithë zyrtarët dhe politikanët shqiptarë sapo akuzohen publikisht për diçka, ata përgjigjen menjëherë: Shko në prokurori!, sepse janë të bindur se nga atje do të dalin të palagur” - thotë zoti Kikia.

Por përkundër pritshmërisë së lartë, shihen disa zyrtarë të mesëm që pasi marrin disa dënime minimale administrative, riciklohen pas disa muajsh në zyra shtetërore, publike e partiake. Studiuesit pohojnë se pikërisht ky riciklim dhe ky gjoja dënim i nëpunësve të vegjël, pa prekur të mëdhenjtë, e ushqen dhe i jep jetë korrupsionit, dhe dekurajon shoqërinë shqiptare që t’i denoncojë ata, sepse ka ndodhur që pas disa denoncimeve, nëpunësit riciklohen, u shpëtojnë gjykatave dhe kthehen aty ku ishin përsëri përballë qytetarëve.

XS
SM
MD
LG