Lidhje

Korrupsioni dhe largimi i paligjshëm i kapitalit


Bota në zhvillim ka nevojë për sasi të mëdha parash për të zgjidhur problemet e ndryshme që kanë të bëjnë me shëndetin, strehimin, edukimin e shumë të tjera. Por një studidm i ri, ve në dukje se forma të ndryshme korrupsioni që praktikohen nga kompanitë shumëkombëshe, nga qeveritë me të cilat ato kanë lidhje dhe të tjerë, po pengojnë njerëzit që të kenë një jetë më të mirë.

Një grup vëzhgues financiar me seli në Uashington, Global Financial Integrity, thotë se një sasi mjaft e madhe parash largohen çdo vit nga vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Raporti i ri i këtij grupi thotë se në vitin 2011, gati 947 miliardë dollarë u larguan nga këto vende përmes asaj që, organizata e quan, rrjedhje e paligjshme e kapitalit.

Drejtuesi i grupit GFI, Raymond Baker thotë se totali në 10 vjet është edhe më tronditës:

“Gjatë dekadës 2002- 2011, flitet për gati 5.9 trilion dollarë që janë larguar nga vendet në zhvillim. Asgjë nuk është më e dëmshme sesa humbja e këtij kapitali nga vendet më të varfëra të botës.”

Raporti i Global Financial Integrity thotë se Kina është në krye të listës për këtë dekadë me gati mbi një trilion dollarë rrjedhje të paligjshme. Rusia është në vendin e dytë me 880 miliardë dollarë. Meksika është në vendin e tretë me 462 miliardë dollarë të dala nga vendi. Në Afrikë kryeson Nigeria me më shumë se 142 miliardë dollarë.

Praktika të ndryshme korrupsioni kontribuojnë në këto rrjedhje të paligjshme të kapitalit thotë Alex Cobham me Qendrën për Zhvillimin Global në Londër.

“Pjesërisht, këto janë para që vijnë nga krimi, nga larja e parave pjesërisht nga droga dhe trafiku i qënieve njerëzore. Por është gjithashtu vetë korrupsioni, vjedhja e pasurive shtetërore që ka prirje të jetë një komponent i vogël. Komponenti më i madh nga përllogaritjet që kemi për të gjitha vendet vjen nga evazioni fiskal.”

Sipas raportit, për vitin 2011 Shqipëria pati një rrjedhje kapitali prej 277 milionë dollarësh, krahasueshmërisht, me të uët se vendet e tjera të rajonit.

Studiuesit Baker dhe Cobham thonë se evazioni me taksat kryhet përgjithësisht përmes asaj që quhet vendosja arbitrare e çmimeve, nënvlerësimi i mineraleve, mallrave dhe eksporteve të tjera nga autoritetet e taksave. Vendosja jo e drejtë e çmimeve ofron gjithashtu një model të korrupsionit përmes faturave fallso të atyre që japin rryshfete.

Afrika nën-Sahariane është veçanërisht e goditur rëndë nga largimi i paligjshëm i kapitalit. Raporti thotë se në vitin 2011, ky rajon humbi 5.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në pjesën më të madhe përmes shmangies së taksave të bërë përmes uljes së çmimit të burimeve natyrore dhe mallrave.

Drejtori i grupit Global Financial Integrity thotë se vendet e zhvilluara duhet të jenë në krye të përpjekjeve për të pakësuar largimin masiv të kapitalit që i mban disa shtete dhe njerëzit e tyre të varfër.

“Përgjigja e shkurtër për të zgjidhur problemin është transparenca – transparenca më e madhe në sistemin financiar global. Kjo do të thotë eliminimi i korporatave fiktive, do të thotë shkëmbimi i informacionit të taksave, do të thotë që kompanitë të raportojnë në mënyrë automatike shitjet dhe fitimet e tyre në çdo juridiksion ku bëjnë biznes.”

Zoti Baker dhe të tjerë thonë se në se vendet në zhvillim mund të marrin pjesën që u takon nga ato që prodhojnë, do të kenë më shumë para për të shpenzuar për shëndetin public, shkolla dhe nevoja të tjera esenciale.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG