Lidhje

Korrupsioni në sport

  • Jeffrey Young

Bastet në ndeshjet sportive janë një dukuri globale dhe masive. Një raport i ri mbi përmasat dhe ndikimin e basteve në sport vë në dukje se elementët kriminalë i përdorin ngjarjet sportive për të pastruar para dhe për të kryer aktivitete të tjera të paligjshme.

Rio de Janiero, Brazil. Më 12 qershor, fillon ngjarja sportive për të cilën tifozët kanë pritur katër vjet – Botërori 2014. Ekipet do të luftojnë për të dalë në finale më 13 korrik.

Admiruesit nuk brohorisin vetëm për ekipet e tyre të zemrës. Shumë prej tyre mezi presin të vënë baste për ndeshjet. Dhe jo vetëm për Botërorin. Ka një furi të zjarrtë bastesh që shoqërojnë futbollin, tenisin, garat me makina dhe çdo lloj tjetër gare konkurruese.

Një raport i publikuar së fundmi nga Qendra Ndërkombëtare për Sigurinë e Sportit në Katar dhe qendra Sorbonne në Paris saktëson veprimet e basteve në mbarë botën. Drejtori i organizatës për Integritetin Sportiv Chris Eaton, komentoi Përmes Skype-it.

“Po të marrim së bashku tregun e basteve të paligjshme, tregun e ndërmjetëm pa rregulla dhe tregun e ligjshëm, vlera arrin në një trilion dollarë në vit.”

Analistët thonë se një miliardë dollarë u hodh në baste në mbarë botën vetëm në një ndeshje në vitin 2010 në finalen e Botërorit.

Raporti i ri thotë se bastet në sporte përdoren në mbarë botën nga organizata kriminale për të pastruar gati 140 miliardë dollarë në vit. Dhe tani 30 përqind e të gjitha veprimeve kryen në internet.

Raporti thotë se në Azi vihen 53 përqind e të gjitha basteve të paligjshme në botë. Organizatorët e basteve dhe qendrat e llotove janë të lidhura mes tyre, thotë analisti David Forrest i Universitetit të Salfordit në Birmingham.

“Lojtarët e vegjël duket se i marrin paratë e basteve dhe i kalojnë ato shpejt në zinxhirin e organizuar për të mos e mbajtur vetë rrezikun. Në krye të zinxhirit janë bastevënësit e ligjshëm që janë të regjistruar në Filipine – të pestët më të mëdhenj në botë. ”

Bastet e paligjshme kanë marrë disa nga praktikat e “menaxhimit të rrezikut” të Wall Street-it, ku drejtuesit e fondeve me këmbime të rrezikshme mund të marrin pozicione në favor apo kundër një aksioni të caktuar për të siguruar që fitojnë pavarësisht rezultatit. Analisti i basteve në Universitetin e Floridas së Jugut, Richard Borghesi:

“Bastevënësit e paligjshëm mbledhin bastet e tyre dhe nëse dalin me humbje e kalojnë këtë rrezik duke vënë baste me skuadrat kundërshtare në tregun ligjor të basteve.”

Në raport thuhet se industria e basteve duhet të krijojë një sistem ndërkombëtar informacioni dhe sisteme përgjegjësish si ato që janë krijuar për tregjet globale financiare në dekadat e fundit. Përsëri analisti Chris Eaton.

“Ka nevojë për modele të ngjashme në industrinë e basteve në mënyrë që të shohim se kush i bën transaksionet dhe të mund të identifikojmë shkelësit e rregullave.”

Në sport ka fitues dhe humbës. Pavarësisht rezultatit të lojës, ka gjithmonë para – para të madhe që shkon në xhepin e dikujt.
XS
SM
MD
LG