Lidhje

Korrupsioni në Ukrainë


Anti-corruption activists
Anti-corruption activists

Lufta në Ukrainë nuk po njeh fund dhe vendi vazhdon të vuajë krizën, më e rënda në epokën e tij pas-sovjetike. Shumë ukrainas thonë se kjo krizë është pasojë e korrupsionit, që e bëri vendin të pambrojtur ndaj agresionit rus. Dy vjet pas Revolucionit të Maidanit, që u pëpoq t’i jepte fund korrupsionit, ukrainasit thonë se shohin përmirësime, por pohojnë gjithashtu se udhëheqjes i duhet ende të bëjë shumë për të mbajtur premtimet lidhur me korrupsionin dhe keqmenaxhimin. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Luis Ramirez.

Gropa si këto do të ishin të bezdisshme në çdo vend, por për banorët e qytetit Izyum, pranë vijës së frontit në Ukrainën lindore, ato janë simbol i neglizhencës qeveritare që kërcënon të ardhmen e vendit.

Disa banorë thonë se qeveria po humbet një rast të mirë për të përmirësuar besimin.

"Kur ata rregullojnë rrugët, kjo tregon se qeveria punon dhe në këtë rast qeveria merr një kuptim të rëndësishëm," thotë një banor.

Qëllimet e revolucionit ende nuk janë përmbushur për shumë ukrainas. Njeriu i cili organizon përpjekjet e anti-korrupsionit në parlament, thotë se korrupsioni është kërcënimi më i madh për Ukrainën.

"Për shkak të korrupsionit kemi humbur ushtrinë, kemi humbur një pjesë të territorit. Për shkak të korrupsionit ne zgjodhëm një president të korruptuar dhe kjo çoi në gjakderdhje në sheshin Maidan," thotë deputeti Sergii Leschenko.

Forcat e mbështetura nga Rusia i morën me lehtësi qytetet Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore dhe Moska aneksoi gadishullin e Krimesë. Forcat e armatosura të Ukrainës – të gërryera nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi – nuk mateshin dot me fuqinë ruse në vitin 2014.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri ukrainas i mbrojtjes, Gjeneral Stepan Poltorak, thotë se gjërat sot kanë ndryshuar.

"Në vetëm një vit e gjysmë, ne kemi arritur të heqim mbi 200 zyrtarë të ndryshëm ushtarakë dhe civilë nga ministria e mbrojtjes, për shkak të korrupsionit."

Një sistem i ri elektronik tenderimi ka kursyer miliona dollarë, janë blerë më shumë pajisje, buxheti ushtarak dhe fuqia punëtore janë dyfishuar.

"Vendi ka ndryshuar. Njerëzit tanë kanë ndryshuar. Ata nuk duan të jetojnë si në të kaluarën," thotë Gjenerali Poltorak.

Në Kiev, korrupsioni në nivel qyteti është zhdukur në masë të madhe. Banorët thonë se policët nuk marrin më rryshfet. Megjithatë, perceptimi publik është se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur, sidomos mes oligarkëve, të cilët dominojnë biznesin.

"Të them të drejtën, unë personalisht nuk e përjetoj korrupsionin drejtpërdrejt, sepse nuk kam të bëj me biznesin e madh. Por, mendoj se tani për tani situata nuk ka ndryshuar shumë dhe baza mbi të cilën ngrihet korrupsioni ende ekziston,” thotë Yuriy Voloshyn, banor i Kievit.

Shitësit në rrugë dikur ishin objektiv i lehtë për policinë e korruptuar. Në këto dy vjet, gjërat kanë ndryshuar. Një shitës kafeje nuk pranon të flasë përpara kamerës, por shenja në kamionin e tij e thotë qartë: ai paguan taksa dhe nuk dëshiron të paguajë rryshfet. I thotë policisë të shkojë më mirë të kapë kriminelët.

Ukraina ka përshkuar një rrugë të gjatë në luftën kundër korrupsionit, por ka ende një rrugë të gjatë përpara.

Dy vjet pas Maidanit, ukrainasit e kuptojnë tani më mirë se e ardhmja e tyre varet nga veprimet, jo vetëm nga fjalët.

XS
SM
MD
LG