Lidhje

Raporti i Transparency International


Organizata “Transparency International” publikoi sot raportin e përvitshëm mbi gjendjen e korrupsionit në vende të ndryshme të botës. Treguesi i këtij viti rendit Danimarkën si vendin më pak të korruptuar dhe Somalinë si vendin më të korruptuar. Në Shqipëri dhe Kosovë, gjendja e korrupsionit, sipas raportit, është keqësuar.

Transparency International thotë se treguesit e këtij viti janë një paralajmërim se shpërdorimi i pushtetit, allishverishet e fshehta dhe rryshfetet vazhdojnë t'u sjellin shkatërrime shoqërive kudo në botë.

Edda Muller, kryetarja e organizatës me seli në Gjermani thotë se në raportin e këtij viti, shumica e vendeve kanë marrë më pak se 50 pikë, në një shkallë nga zero në 100, ku zero tregon korrupsion të lartë dhe numri 100 tregon për një standart të lartë në këtë fushë.

“Dy të tretat e 177 vendeve të botës të përfshira në listën vjetore për perceptimin e korrupsionit, janë në një gjendje “tepër kritike”.

Treguesi i perceptimit të korrupsionit bazohet mbi mendimet e ekspertëve lidhur me korrupsionin në sektorin publik. Treguesi i këtij viti rendit Danimarkën si vendi më pak të korruptuar dhe Somalinë në vend të fundit. Krahas me Somalinë, ndodhen edhe Afganistani dhe Koreja e Veriut secili vend me nga 8 pikë.

Vendet më të dhunshme të Lindjes së Mesme perceptohen si më të korruptuarat në rajon dhe gjendje atje po keqësohet, për shkak se paqëndrueshmëria sociale lejon shtimin e abuzimeve në këto vende, thuhet në raport.

Tre vende të Lindjes së Mesme kanë shënuar një ulje të ndjeshme në klasifikimin për korrupsionin: Jemeni ka rënë 5 pikë, në nivelin 18, Siria ka rënë 9 pikë, në nivelin 17 dhe Libia ka rënë 6 pikë, në nivelin 16. Po ashtu rënie ka shënuar Iraku, nga niveli 16 që ishte vitin e kaluar, këtë vit është në nivelin 18.

Greqia, një nga vendet e goditura më rëndë nga kriza financiare e Evropës është në vendin e 80-të, duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.

“Arsyeja për këtë arritje është se Greqia ka caktuar një bashkëkoodinator për luftën kundër korrupsionit dhe njëkohësisht ka vendosur krijimin e një programin anti-korrupsionit. Raporti bazohet gjerësisht tek perceptimi i opinionit publik dhe në rastin e Greqisë, përshtypja e popullsisë është sekorrupsioni në vend është pakësuar.”

Por kjo nuk ka ndodhur me Spanjën, ekonomia e së cilës po ashtu është prekur nga kriza financiare. Në raport Spanja ka humbur 6 pikë, duke zënë vendin e 40 në listë. Zonja Muller e justifikon këtë vendim, duke thënë se ekspertët e organizatës janë të mendimit se momentalisht, kryeministri spaonjoll nuk është duke zhvilluar një luftë aktive kundër korrupsionit. Danimarka dhe Zelanda e Re paraqiten më mirë nga të gjitha vendet, me 91 pikë, të pasuara nga Finlanda, Suedia dhe Norvegjia.

Shqipëria dhe Kosova kanë pësuar rënie nga një vit më parë. Shqipëria zbret në vendin e 116 nga i 113, ndërsa Kosova bie në të 111 nga i 106.

Australia dhe Kanadaja zenë vendin e 81-të në listë, ndërsa Britania e Madhe ndodhet në vendin e 76. Shtetet e Bashkuara ndodhen në të njëjtin nivel me Uruguajin, në nivelin 73.

Studimi i Organizatës Transparency International, që u krye fillimisht në vitin 1995, bazohet tek një numër burimesh, të cilat regjistrojnë perceptimin e publikut për korrupsionin, përfshirë vlerësimet që i bëjnë këtij fenomeni Banka Botërore, Forumi Ekonomik Botëror, Banka afrikane Zhvillimit dhe tek vetë Indeksi i Organizatës Transparency International për Rryshfetet.
XS
SM
MD
LG