Lidhje

Sot në Bruksel takimi i radhës Kosovë-Serbi


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, takohen sonte në Bruksel me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ndonëse më herët ishte thënë se takimet e radhës mund të priten pas përfundimit të zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë, zonja Ashton ftoi palët në një takim të ri pas kërcënimit të Beogradit se do të ndërpresë bisedimet me Kosovën, nëse Prishtina nuk lejon vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë gjatë fushatës për zgjedhjet komunale.



Kryeministrit serb Ivica Daçiç, i ishte refuzuar kërkesa që të premten që lamë pas, të qëndrojë në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore, një komunë me shumicë serbe për të marrë pjesë në hapjen e fushatës për zgjedhjet komunale në të cilat Beogradi mbështetë Nismës Qytetare Serbe.

Ai kritikoi ashpër vendimin e Prishtinës, por edhe, reagimin e zbehtë të Brukselit, ndaj siç është shprehur ai, aktit skandaloz të përçmimit që i ka bërë Prishtina. Ai madje tha që nëse Bashkimi Evropian e cilëson si normal veprimin e autoriteteve të Prishtinës, atëherë ai nuk ka interes të marrë pjesë në bisedime.

Autoritetet në Prishtinë thanë se vendimi për t’i ndaluar hyrjen në Kosovë kryeministrit serb ishte vendim autonom dhe se çdo vizitë e paralajmëruar e zyrtarëve serbë do të shqyrtohet veç e veç.

Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe në këto zgjedhje.

Nga mbi 100 subjekte politike të regjistruara për të marrë pjesë në këto votime, tridhjetë syresh janë nga radhët e komunitetit serb. Beogradi mbështetë Nismën Qytetare Serbe duke nxitur pakënaqësi tek një pjesë e subjekteve serbe në Kosovë.

Pas zgjedhjeve të tre nëntorit, pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes ndërmjet kryeministrave, do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG