Lidhje

Kosova - E vetmja jashtë liberalizimit të vizave


Kosova - E vetmja jashtë liberalizimit të vizave
Kosova - E vetmja jashtë liberalizimit të vizave

Prishtina mirëpret vendimin e ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa shfaq shpresën se edhe Kosova do të përfitojë nga ky proces. Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi përgëzoi sot autoritetet e Tiranës, nëpërmjet një telegrami dërguar kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Kryeministri Thaçi tha se sot për Shqipërinë po ndodhë një histori.

“Po fillon procesi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, uroj kryeministrin Berisha, gjithë spektrin politikë në Shqipëri, popullin shqiptar për këtë sukses historik, për Shqipërinë, për popullin shqiptar, për paqen dhe stabilitetin në rajon, për perspektivën evropiane dhe mendoj se diçka e tillë do të ndodh shumë shpejt edhe për Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Por që nga sot, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin perëndimorë, qytetarët e të cilit do të vazhdojnë të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Zyrtarë të Parlamentit të Evropës të cilët e vizituan Kosovën ditëve te fundit shfaqën shpresën se nëntë nëntori, kur Komisioni Evropian pritet të paraqes Raportet e Progresit në kuadër të së ashtuquajturës Pako e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor është koha kur mund të ketë lajme të mira për Kosovën dhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Por ata tërhoqën vërejtjen se ky është një proces i gjatë dhe kërkon përmbushjen e shumë kritereve të rëndësishme dhe zbatimin e shumë reformave të domosdoshme që nga siguria e kufijve, siguria e dokumenteve, përkatësisht pasaportat biometrike, hapave të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Eurodeputetja Doris Pack e cila javën që lamë pas qëndroi për një vizitë në Kosovë tha se është vështirë të thuhet se kur mund të bashkohet Kosova me pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit perëndimorë, duke pasur parasysh edhe vështirësitë politike.

“Duhet ta kuptoni se jeni vend i ri që nuk është njohur nga pesë vende të Bashkimit Evropian dhe kjo merr më shumë kohë”, tha zonja Pack duke shfaqur shpresën se rruga do të mund të shkurtohet.
Autoritetet në Prishtinë shpresojnë se deri në fund të vitit të ardhshëm edhe Kosova do të jetë në këtë proces, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve dhe të mos mendohet se me hyrjen në regjimin e udhëtimeve pa viza, do të jetë e garantuar edhe puna në vendet e Bashkimit Evropian. Deri në përmbushjen e shpresave të tilla qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mbeten të vetmit qytetar të Ballkanit perëndimorë që do të presin në radhë para ambasadave në Prishtine dhe në kryeqytetet e rajonit.

XS
SM
MD
LG