Lidhje

Tenisi mbledh bashkë fëmijët shqiptarë dhe serbë


Shumë gjëra i ndanë shqiptarët e Kosovës dhe pakicën serbe gjatë viteve të konfliktit etnik, por të dielën në Graçanicë, fëmijët sollën një frymë të re, ku e vetmja ndarje ishte rrjeta në fushën e tenisit. Rreth njëqind fëmijë marrin pjesë në një kampionat tenisi që mbledh fëmijë të origjinave të ndryshme etnike.

Organizatorët shpresojnë që me këtë kampionat – diçka e rrallë në një vend ku ende duken plagët e konfliktit etnik – të mund të zbulojnë një yll të ri tenisi si Novak Gjokoviç, i cili e ka vënë rajonin në hartën e tenisit ndërkombëtar.



7-vjeçarit Ilija Mikiç, i pëlqen të shërbejë topin dhe të bisedojë në fushë me konkurrentët e tjerë. Babai i tij, Dejan Mikiç thotë se e ardhmja e të birit është e vështirë në një vend që jo vetëm është i varfër por edhe me paqëndrueshmëri politike.

"Fëmijët e ndiejnë ndryshimin. Nuk është e njëjta gjë, kur ata shkojnë në një mjedis tjetër ku ndihen më pak të sigurt", thotë Mikiç.

"Ata janë paksa të frikësuar. Por ç’ti bësh? Është e vetmja mundësi për të marrë pjesë në një kampionat."

Në zonën përreth fushës së tenisit ende duken shenjat e konfliktit të vitit 1999 dhe tensionet ende vazhdojnë.

Por fëmijët nuk shqetësohen nga dallimet etnike, thotë Violeta Uka, e cila ka ardhur nga Peja për të parë të nipin që merr pjesë në kampionat.

"Tek fëmijët këto gjëra nuk vihen re, por me të rriturit është ndryshe,” thotë zonja Uka.

Dejan Ziviç, trajner tenisi që punon në Graçanicë, thotë se popullariteti i këtij kampionati është në rritje dhe po i hap rrugën pajtimit etnik.

"Nëse duam të ecim përpara, duhet ta lëmë të kaluarën pas,” thotë zoti Ziviç.

Ai thotë se njerëzit duhet ta hedhin vështrimin drejt një shoqërie të re, të barabartë për të gjithë.
XS
SM
MD
LG