Lidhje

Shpend Ahmeti: Partitë e mëdha në Kosovë kanë frikë nga opsionet e reja politike


Shpend Ahmeti: Partitë e mëdha në Kosovë kanë frikë nga opsionet e reja politike

Shpend Ahmeti: Partitë e mëdha në Kosovë kanë frikë nga opsionet e reja politike

Në Kosovë, tashmë kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, ndonëse ende nuk është e qartë nëse ato do të mbahen më 13 shkurt të vitit të ardhshëm apo edhe brenda këtij viti. Skenës politike po u shtohen edhe nisma të reja politike siç është formacioni i ri që veten e quan Fryma e Re. Një nga drejtuesit e kësaj force të re politike, Shpend Ahmeti në një intervistë me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Prishtinë, Besim Abazi thotë se partive të mëdha po u ngutet të mbajnë zgjedhjet për shkak të frikës nga forcat e reja politike.


Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, ju keni vendosur të hyni në garën zgjedhore në një kohë kur Kosova është në krizë institucionale. Këto koncepte a po ndeshen me njëri tjetrin?

Shpend Ahmeti: Kriza institucionale është vetëm një simptomë e një krize të vazhdueshme që ka filluar jo para një muaji me dorëheqjen e presidentit, por ka filluar vite të tëra ku Kosova po keq qeveriset dhe është duke shkuar në drejtimin e gabuar. Dhe kjo është ajo që përputhet me daljen tonë apo hyrjen tonë në politikë si koncept i ri, sepse përfundimisht kemi vendosur që t’i themi mjaft më keqqeverisjes dhe të shohim se si mund ta mobilizojmë Kosovën për një ndryshim të qeverisjes, sepse definitivisht kanë ardhur kohëra të tjera për Kosovën, ku kualiteti i jetës në Kosovë është shumë i ultë, atë e dinë të gjitha qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj, ky është koncepti. Të shohim se si mund t’ia ndryshojmë kahjen.

Zëri i Amerikës: Cilësia e jetës, si do të ndryshohet nga Fryma e Re, si mendoni ta ndryshoni këtë?

Shpend Ahmeti: Ne mendojmë se ka ardhur koha përfundimisht që të mos vazhdojmë vetëm me kritika se si është bërë një gjë keq, apo tjetra, po të japim edhe zgjidhje se si mund të përmirësohet. Dhe shtyllat e programit tonë politik, janë shtyllat që flasin për zhvillim ekonomik, që është një prej problemeve, në mos problemi më i madh i Kosovës, qeverisja e mirë dhe lufta anti korrupsion, domethënë e kremi krijuar imazhin e një shteti më të korruptuar në Ballkan, pastaj e kemi mirëqenien, të ardhmen evropiane dhe investimet në arsim. Këto janë gjërat që po i preokupojnë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe ky është koncepti, pra që të ofrojmë zgjidhje duke i tërheqë pranë vetës ekspertizën, por edhe një, kisha me e quajt, një opsion të pastër nga bagazhi i keq politik që është krijuar këto vitet e fundit, posaçërisht.

Zëri i Amerikës: Të martën do të votohet në Parlamentin e Kosovës mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, një mocion i cili nëse kalon, mund ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Si i vlerësoni këto zgjedhje, carë prisnin prej tyre dhe a jeni të gatshëm për to?

Shpend Ahmeti: Ne kur kemi hyrë në politike, e kemi ditur dhe kemi hyrë me planin që zgjedhjet do të mbahen në dhjetor. Prandaj, kjo nuk është një surprizë për neve edhe pse po e shohim se dy partitë politike në pushtet po nguten që të ketë zgjedhje sa më shpejt. Kjo është sepse kanë frikë nga opsionet e reja që kanë dalë në tregun politik kosovar dhe po e shohin edhe gjendjen nëpër komunat e Kosovës ku është ata që kanë votuar, militantët më të mëdhenj të PDK-së, LDK-së po edhe AAK-së, e kanë parë se ndoshta është koha që të ndryshojnë qeverisjen në Kosovë. Prandaj, FER-i, sa i përket se a jemi gati ne apo jo, në nuk po i bëjmë këtë pyetje vetes, po e shtrojmë tek qytetarët e Kosovës, tek shtetasit e Republikës së Kosovës, a janë ata gati që të ndryshojnë, duke e parë krejt këtë çfarë po ndodhë rreth tyre.

Zëri i Amerikës: Dhe ju mendoni se ata janë të gatshëm ta ndryshojnë përmes jush?

Shpend Ahmeti: Mendoj se Kosova është e gatshme të ndryshojë, pikërisht për shkak se po të presim edhe katër vjet të tjera duke u ankuar dhe duke rënë edhe më tutje në dëshpërim me këtë çfarë po shohim, mendoj se pas katër vitesh do të jetë edhe më vështirë të ndryshohet ndonjë gjë. Prandaj, momenti është tani. Po e shohim se kulminacioni i dëshpërimit në Kosovë ka ardhur në maksimum. Domethënë kemi rënë, ne po e quajmë në pikën zero të Republikës së Kosovës si shtet dhe kjo është koha që të fillojmë të mendojmë ta lëvizim Kosovën në drejtimin e duhur. Ne po e ofrojmë vetëm një hapësirë, ku njerëzit mund ta ndjejnë veten pjesë e frymës së re, që të tregojmë se së bashku Kosova ka ditë që t’i thotë mjaft keqqeverisjes edhe më herët, ka ditë t’i thotë jo së keqes edhe më herët. Edhe kësaj here mendojmë se do t’i thotë “mjaft”, mirëpo, për herë ndoshta të parë në historinë tonë duhet t’u themi bashkëkombësve tanë prej të cilëve më së paku e kemi pritur që ta sjellin Kosovën në këtë gjendje që është sot.

Zëri i Amerikës: A ka hapësirë të duhur për një proces të mirë zgjedhor në Kosovë?

Shpend Ahmeti: Ne, e kemi potencuar në pyetjen se a është FER-i gati, ne kemi thënë se a ka kohë mjaft që të përgatitemi për zgjedhje. Në anën tjetër, mënyra se si u kaluan ndryshimet e ligjit, për dy ditë, ku një ditë diskutohet dëgjimi i parë e të nesërmen dëgjimi i dytë, është praktikë që nuk e shohim as në vendet më jodemokratike në botë. Domethënë, ka një nguti tepër të madhe që të shkohet në zgjedhje. Kjo mendoj se do t’u kthehet si bumerang partive aktuale në pushtet, sepse mendoj që të gjithë po e shohin se është fjala për interesa të ngushta, jo të këtyre partive, por të një grupi njerëzish brenda këtyre partive. Ne e kemi ngritur këtë çështje edhe në takimet tona me përfaqësuesit e shteteve të “quintit” si dhe kemi shfaqur këtë arsyetim edhe tek Parlamenti Evropian por edhe në Washington, që të gjitha përgatitjet e duhura të bëhen, që të ketë monitorim të mjaftueshëm qoftë lokal, qoftë ndërkombëtarë në ditën e zgjedhjeve dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo parti tjetër që është e interesuar që zgjedhjet atë ditë të jenë “fer”.

Zëri i Amerikës: Përveç bashkëpunimit për zgjedhje të mira, a keni menduar për bashkëpunime të mëtejshme?

Shpend Ahmeti: Nuk është koha që të mendojmë për ato. Gjithmonë po na shtrohet pyetja se a jemi të gatshëm për një koalicion parazgjedhor me këto parti. Ne po kërkojmë ndryshim në Kosovë dhe po ë kërkojmë votën e qytetarit të Kosovës duke thënë se është keq qeverisë dhe nuk do të ishte “fer” nga ne që tani të flasim për koalicione më partitë, apo me njerëzit që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Prandaj, nuk po mendojmë fare për ato koalicione?

Zëri i Amerikës: Është hipotetike, por, nëse fitoni në këto zgjedhje me dikë duhet të bëni qeveri. Kush do të mund të ishte ai partner?

Shpend Ahmeti: Partnerë mund të jenë vetëm ata që nuk kanë përgjegjësi për situatën e krijuar tashmë në Kosovë. Domethënë nuk po qes krejt partitë dhe anëtarësinë e atyre partive dhe krejt elektoratin në një thes, por ata që janë përgjegjës për Kosovën ku është sot në këtë aspektin e keq, jo ne aspektin e mirë, por ku jemi sot me korrupsion, me këtë gjendje të rëndë ekonomike, ata nuk mund të bëjnë koalicion apo bashkëpunim me FER-in.

XS
SM
MD
LG