Lidhje

Kosovë: Shënohet dita ndërkombëtare kundër korrupsionit


Kosovë: Shënohet dita ndërkombëtare kundër korrupsionit
Kosovë: Shënohet dita ndërkombëtare kundër korrupsionit

Organizata ndërkombëtare Transparency International, gjykon se gjatë vitit të fundit ka pasur një shtim të shkallës së korrupsionit në Kosovë, duke radhitur partitë politike dhe gjyqësorin në shkallën më të lartë. Këto vlerësime janë përmbledhur në “Barometrin Global të Korrupsionit 2010”, që përfshinë hulumtimet e zhvilluara nëpërmjet anketimeve në 86 vende të botës, përfshirë edhe Kosovën. Në vlerësimet e kësaj organizate, nota 5 shënon shkallën e skajshme të korrupsionit, ndërsa Kosova vitin e kaluar ishte radhitur në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni, me notën 3.4.

Në raport thuhet se sektori më i korruptuar është ai i partive politike që këtë vit vlerësohet me notën 4.2 për dallim nga një vit më parë kur ajo ishte 3.8. Ndërsa sistemi gjyqësor sivjet ka marrë notën 4.1 nga 4 sa ishte raportuar një vit më parë.

Ndryshim pozitiv thuhet të jetë shënuar në sektorin e biznesit privat, ku korrupsioni ka shënuar rënie nga 3.7 në 3.3.

Përfaqësues të mekanizmave të ndryshëm qeveritar e joqeveritar thanë sot se korrupsioni vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore në përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Jetullah Aliu nga Agjencia Kundër korrupsionit tha se që nga themelimi i saj në vitin 2007 janë trajtuar 600 informacione për raste të korrupsionit ndërsa një e treta e tyre janë përcjellë në prokurori.

“Përafërsisht rreth 200 raste janë përcjell në prokuroritë kompetente, duke filluar në prokuroritë e qarkut, prokuroritë komunale, prokurorinë speciale të Kosovës si dhe në prokurorinë e Eulex-it”, tha zoti Aliu.

Ndërkaq Nazmi Mustafa nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës thotë se infrastruktura ligjore për luftën kundër korrupsionit nuk është e mjaftueshme.

“Kosova e ka rregulluar me legjislacion çështjen e luftimit kundër korrupsionit, mirëpo në shoqërinë tonë ekzistojnë zbrazëtira juridike në legjislacion, në luftën kundër korrupsionit. Në të ardhmen kësaj çështjeje duhet t'i kushtojmë rëndësi të madhe në nxjerrjen e ligjeve dhe akteve nën ligjore apo ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve në fuqi”, tha zoti Mustafa.

Habit Hajredini nga zyra për qeverisje të mirë e cila funksionon në kuadër të zyrës së kryeministrit thotë se lufta kundër kësaj dukurie kërkon një angazhim gjithëpërfshirës.

“Një rol në realitet për të ndaluar dhe luftuar korrupsionin, këtë dukuri të keqe na nevojitet një bashkim i forcave te institucioneve vendore ato ndërkombëtare dhe vet shoqëria civile në vend”, tha zoti Hajredini.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pjesë e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.

XS
SM
MD
LG