Lidhje

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë

  • Leonat Shehu

Në Bruksel, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian hodhën sot inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Me këtë shënohet edhe përfundimi zyrtar i procesit negociator dhe dakordimi i të dyja palëve mbi tekstin e negociuar të marrëveshjes.

Hapi i ardhshëm do të jetë miratimi i marrëveshjes nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe nënshkrimi i marrëveshjes.

Duke e cilësuar si një ngjarje me rëndësi historike autoritetet në Kosovë thanë se kjo marrëveshje do të jetë themel i afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Parashikimet flasin për mundësinë që nënshkrimi i saj të ndodhë brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Kjo mundësi është diskutuar edhe gjatë vizitës së mbrëmshme në Prishtinë të ministres së jashtme të Italisë, Federica Mogherini, vendi i së cilës kryeson aktualisht me Bashkimin Evropian.

Kosova ishte ngecur në këtë proces për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, tani është arritur pajtimi që kjo marrëveshje të mos ketë nevojë të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare, siç ka ndodhur me vendet tjera.

Negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Serbia nga ana tjetër, hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në janar të këtij viti.

XS
SM
MD
LG