Lidhje

Kosovë: Koalicioni i opozitës sërish në bisedime

  • Leonat Shehu

Koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën janë takuar mbrëmë deri në orët e vona me lëvizjen Vetëvendosje për të shqyrtuar mundësitë e arritjes së një marrëveshje për të përkrahur këtë koalicion në procesin e përpjekjeve për formimin e qeverisë së re.

Përfaqësues të këtyre partive politike kanë bërë të ditur se marrëveshja është shumë afër arritjes, dhe se sipas tyre kanë mbetur vetëm pak cështje të paqarta. Deputeti nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca shpreson që marrëveshja do të arrihet:

“Ne jemi marrë vesh për pothuajse 90 për qind të gjërave dhe mendoj që këto orë që kanë mbetur do t’i japin fund dilemave për ato pikat kritike në të cilat ne nuk kemi pasur pajtim deri tash”, thotë zoti Konjufca.

Mediat vendase ndërkaq shkruajnë se tashmë ka një marrëveshje në parim, e cila pritet të bëhet publike para fillimit të mbledhjes së Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit.

Nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje pritet që të kenë 63 deputetë në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës, numër ky që mjafton të zgjedhur kryetarin e Parlamentit nga ky koalicion.

Javën e kaluar, kryesia e Parlamentit të Kosovës, pa Partinë Demokratike, përcaktoi koalicionin ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, si grupin më të madh parlamentar. Sipas këtij vendimi në mbledhjen e parë të Parlamentit, ky grup ka të drejtën të propozojë kryetarin e Parlamentit.

Por, me këtë nuk është pajtuar Partia Demokratike, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke fituar 37 vende në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Zyrtarë të kësaj partie thonë se ata mbeten grupi më i madh parlamentar dhe si të tillë kanë të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

Por, LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ndërsa PDK me kushtin që të ketë votat e të gjitha pakicave kombëtare do të ketë nevojë për të paktën 4 vota shtesë që duhet t’i kërkojë në radhët e partive rivale.

Mbledhja e sotme e parlamentit, do të jetë sprova e parë për procesin më të ndërlikuar deri tash të formimit të institucioneve të reja.

XS
SM
MD
LG