Lidhje

Vetëvendosja, kundërshtime për fletëvotimet


Në Kosovë, lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin nëse fletëvotimet për zgjedhjet komunale të tre nëntorit janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo lëvizje kundërshton vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në fletëvotime të jetë vetëm logoja e këtij komisioni por jo edhe shenjat e shtetësisë së Kosovës, një vendim për pasoi kërkesat e Beogradit që zgjedhjet të jenë të paanshme ndaj statusit të Kosovës.

Vetëvendosje beson se heqja e stemës së Republikës së Kosovës nga fletëvotimet është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Mbi 100 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e tre nëntorit dhe në mesin e tyre janë 18 subjekte politike nga radhët e komunitetit serb.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Ata do të takohen sërish të dielën më 8 shtator në Bruksel për të diskutuar veç tjerash edhe procesin e votimeve, pas të cilit do të krijohet bashkësia e komunave serbe që sipas marrëveshjes do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.

XS
SM
MD
LG