Lidhje

Kosovë, opozita dërgon në GjK zgjedhjen e presidentit

  • Leonat Shehu

Deputetët e Parlamentit të Kosovës, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për një opinion rreth procedurës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Parlamenti i Kosovës zgjodhi të premten e kaluar me 71 vota për dhe dhjetë vota të pavlefshme, Hashim Thaçin, kryetarin e deritashëm të Partisë Demokratike të Kosovës, në postin e presidentit të Kosovës. Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi që në dy raundet e para ai mori 50, përkatësisht 64 vota. Zgjedhja e tij po kundërshtohet nga partitë opozitare të cilat thonë se se zgjedhja e zotit Thaçi ishte jo legjitime dhe është përcjellë me parregullësi. Ata thanë se procedurat e votimit është arsyeja e kërkesës për opinionin e Gjykatës Kushtetuese dhe bazohet në vendimin e fundit të kësaj gjykate për rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli, të cilën e shpalli jo kushtetuese.

“Duke filluar nga numri i deputetëve që kanë qenë prezentë, do të thotë një prej kritereve ka qenë që duhet të jenë 120 deputetë në sallë dhe ne kemi një deputet që tashmë ka dorëzuar mandatin dhe i cili nuk është zëvendësuar, kjo është njëra prej pikave”, tha deputetja nga lëvizja Vetëvndosje, Aida Dërguti.

“E keni parë që ka pas një pauzë shumë të gjatë në mes të tri raundeve të votimit sidomos në mes të raundit të dytë dhe të tretë dhe besoj që do të ketë edhe shumë pika”, tha deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj.

“Jemi të bindur që nëse vlerësohet përmbajtja e kësaj lënde dhe nuk vlerësohen emrat, mendojmë se presidenti do ta ketë fatin e presidentëve tjerë”, tha deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti.

Nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm të presidentit të zgjedhur apo të partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët në paralajmërimet e deritashme kanë theksuar se janë të gatshëm të përballen me Gjykatën Kushtetuese.

Kjo është hera e tretë që Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë çështje që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Në dy rastet e para, vendimet e gjykatës kushtetuese kanë bërë që të dorëhiqen dy president të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli. Gjykata Kushtetuese duhet të përgjigjet në këtë kërkesë jo më vonë se 60 ditë nga koha e paraqitjes së saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG