Lidhje

Kosova i ka mekanizmat për zgjidhjen e ngërçit


Kosova i ka gjithë mekanizmat e duhura për zgjidhjen e ngërçit të tanishëm, thotë drejtori i zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik në Prishtinë. Alexander Chavarria, ndodhet në Uashington për takime pune dhe në një intervistë për kolegen Arditia Dunellari, thotë se komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë, por janë politikanët kosavarë që duhet të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

Intervistë me Aleksandër Chavarria
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Drejtori i Zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë, Alexander Chavarria thotë se zyrtarët dhe ligjvënësit me të cilët është takuar në Uashington kanë një mesazh të përbashkët për Kosovën:

“Është në duart e tyre; kanë mekanizmat përkatëse, kanë procedurat, kanë institucionet që shërbejnë për t’i zgjidhur këto probleme. Besoj se është në duart e politikanëve për ta zgjidhur situatën. Komuniteti ndërkombëtar mund të mbështesë proceset në nivel teknik, por janë politikanët kosovarë që duhet të vihen në krye të procesit për të kapërcyer këtë ngërç”.

Problemet, ngecjet dhe përplasjet për zotin Chavarria janë shembuj të dinamikës së natyrshme në një sistem shumëpartiak. E rëndësishme, thotë ai, është që institucionet kanë vazhduar të forcohen që prej përfundimit të luftës dhe më tej, me shpalljen e pavarësisë:

“Kjo u jep atyre mundësi t’i kthehen dialogut, të analizojnë shqetësimet dhe opozita, ashtu si në çdo sistem politik, ka përpara procesin e negociatave ku zhvillohen konsulta, lëvizet përpara.”.

Zëri i Amerikës: A nuk është shqetësuese kur dalin njerëz me maska gazi në parlament, kur hidhen bomba gazi brenda organit legjislativ?

Chavarria: “Është shqetësuese kur shohim akte dhune në zemër të institucioneve demokratike. Komuniteti ndërkombëtar dhe Instituti Kombëtar Demokratik i kanë dënuar këto akte. Ato janë shqetësuese. Por kosovarët kanë në dorë mekanizmat për të garantuar që këto akte të mos përsëriten”.

Zoti Chavarria nuk pranon të prononcohet mbi rolin që luajti miratimi i Marrëveshjes për Asocacionin e Komunave Serbe në shpërthimin e krizës aktuale. Një institucion si Instituti Demokratik Kombëtar nuk del me gjykime mbi ligje e marrëveshje që miraton një vend, thotë ai, ndërkohë që shton se për popullatën kjo marrëveshje nuk përbën një shqetësim madhor:

“Në anketat e fundit të opinionit publik, shohim se ka shqetësime të tjera më prioritare për vendin. Pra vendi duhet të vazhdojë procesin e zbatimit të asocacionit. Por ka çështje të tjera të rëndësishme për jetën e përditshme, si ulja e nivelit të korrupsionit, dhe më e rëndësishmja, gjetja e mënyrave për të ulur ritmet e papunësisë”.

Zëri i Amerikës: Çfarë po e pengon luftën kundër korrupsionit?

Chavarria: “Është një kombinim i sistemit që trashëgoi Kosova, i funksionit të gjyqësorit, zbatimit të ligjit, por edhe të nivelit të korrupsionit të vogël që prek jetën e përditshme të qytetarit. Pra ka një numër faktorësh që kërkojnë vëmendje nga politikanët, por edhe përmes informimit civil të qytetarëve, të cilët duhet ta kuptojnë çfarë po ndodh dhe si ta ndalin”.

Udhëheqësit e Kosovës, thotë Alexander Chavarria i Zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë, kanë kapacitetet institucionale dhe mbështetjen ndërkombëtare për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj shtetit ligjor. Ata kanë tani përgjegjësinë ta përdorin parlamentin për të zgjidhur problemet, për të garantuar se po përcjellin shqetësimet e popullatës për korrupsionin dhe papunësinë. Për Zërin e Amerikës, Ardita Dunellari, Uashington

XS
SM
MD
LG