Lidhje

Kosovë: Seancë dëgjimore për 7 të akuzuar për trafikim organesh njerëzore


Kosovë: Seancë dëgjimore për 7 të akuzuar për trafikim organesh njerëzore

Kosovë: Seancë dëgjimore për 7 të akuzuar për trafikim organesh njerëzore

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë sot është zhvilluar seanca e dytë e konfirmimit të akuzës së ngritur në vjeshtën e vitit të kaluar kundër shtatë personave për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mesin e të akuzuarve ka mjekë dhe një person, që më parë ka punuar në nivel të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë. Akuza përfshin edhe dy persona të tjerë njëri shtetas izraelit dhe një shtetas turk, të cilët po kërkohen nëpërmjet policisë ndërkombëtare.

Sipas akuzës, grupi i shtetasve të Kosovës, ka qenë i përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Prokurori i çështjes, Jonathan Ratel, nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë tha se dhuruesit ishin sjellë në Kosovë nën premtimet e rrejshme.

Akuza për trafikimin e organeve, ka të bëjë me zhvillimet në klinikë private “Medikus”, në Prishtinë në vitin 2008. Një transplantim i paligjshëm i një veshke që ishte kryer në një klinikë private në Prishtinë atë vit kishte çuar në arrestimin e tre udhëheqësve të asaj klinike si dhe në pezullimin nga puna të një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë.

Hetimet e policisë atëbotë kishin zbuluar se një shtetas turk kishte dhuruar një veshkë, e cila ishte pranuar nga një shtetas izraelit. Më pas të arrestuarit ishin liruar, ndërsa hetimet kishin vazhduar nga EULEX-i.

Pas seancës së sotme dëgjimore, gjykata ka 15 ditë afat për të vendosur nëse do të ketë një proces gjyqësor apo jo. Të gjithë të akuzuarit kanë hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga prokurori i çështjes, ndërsa mbrojtja kërkoi që akuza të hidhet poshtë. Mbrojtësi i të akuzuarit kryesor, Lutfi Dervishi, tha the po bëhen përpjekje që kjo çështje të ndërlidhet me raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili muajin e kaluar nxiti zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare janë të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore. Ai tha se këto dy çështje nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën.

Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.

XS
SM
MD
LG