Lidhje

Thaçi: Kosova, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare


Thaçi: Kosova, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare
Thaçi: Kosova, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare

Kosova hodhi poshtë me zemërim një raport të Këshillit të Evropës, ku akuzohet Kryeministri Hashim Thaçi si kreu i një grupi kriminal i lidhur me trafikimin e organeve të marra nga serbët që mbaheshin të burgosur gjatë konfliktit në Kosovë.

Pak orë pas paraqitjes së këtij raporti, kryeministri Thaçi bëri thirrje për hetimin e të gjitha akuzave të ngritura të cilat ai i cilësoi si të motivuara politikisht me qëllim të dëmtimit të shtetit të Kosovës.

Raporti skandaloz i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti, është një tekst i mbushur me shpifje dhe gënjeshtra, të cilat janë riciklim i propagandës së vazhdueshme të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për më tepër, ky është një raport që tenton të njollos të gjithë shqiptarët në rajon

Kryeministri Thaci i quajti monstruoze akuzat e ngritura nga Dick Marty, të cilat tha ai, janë hetuar nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare përfshirë Gjykatën e Hagës, zyrtarë e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe në të gjitha rastet është vërtetuar se nuk ka asnjë bazë për akuzat e përfolura.

Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë personalisht, kërkojmë që sa më parë të iniciohen procedurat profesionale për të gjitha deklarimet që përmban raporti, që të zbardhet e vërteta. Po ashtu, kërkojmë nga Dik Marti që të gjitha faktet dhe dëshmitë që pretendon se i ka, t’i dorëzojë tek organet kompetente të drejtësisë për të ndihmuar procesin hetimor”.

Ai tha se në Kosovë kanë ndodhur krime të tmerrshme që kanë kulmuar gjatë viteve 1998 – 1999 të kryera nga makineria shtetërore e Serbisë.

Tendencat për ta ndryshuar historinë dhe realitetin, dhe për të barazuar agresorët dhe viktimat janë të pamoralshme, të padrejta dhe pa dyshim do të dështojnë”.

Kryeministri Thaçi i cilësoi ofenduese akuzat e ngritura nga zoti Marty duke paralajmëruar veprime ligjore.

Unë do të shqyrtojë të gjitha mundësitë legale dhe politike për ta kundërshtuar këtë raport tendencioz dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe drejtësinë. Kosova dhe qytetarët e saj janë përballur me shumë sfida edhe më të rënda në të kaluarën dhe do të dijnë ta tejkalojnë edhe këtë sfidë me sukses”.

Kryeministri Thaçi tha se pavarësisht këtij raporti dhe akuzave të bëra në të, Kosova do të vazhdojë ndërtimin e të ardhmes së saj evropiane dhe të marrëdhënieve të mira me fqinjët, i bindur se kjo nuk do të ndikojë në bisedimet e paralajmëruara me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të interesit të përbashkët.

Unë nuk dëshiroj të prejudikoj, por do të vazhdojmë me agjendën tonë për krijimin e qeverisë së re, do të vazhdojmë me agjendën tonë të marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet e rajonit dhe në të njëjtën kohë e përshëndes edhe deklaratën e presidentit (Boris) Tadiç, që të vazhdojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore mes dy vendeve tona, për të mirën euroatlantike të dy vendeve dhe popujve tanë”.

Kryeministri Thaçi u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës t'i marrë me qetësi këto raporte, duke nënvizuar se Kosova është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG