Lidhje

Kosova dhe Serbia, qëndrime të kundërta në Këshillin e Sigurimit


Kosova dhe Serbia, qëndrime të kundërta në Këshillin e Sigurimit
Kosova dhe Serbia, qëndrime të kundërta në Këshillin e Sigurimit

Beogradi dhe Prishtina përsëritën të enjten qëndrimet e kundërta rreth pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve në vend gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, përshkroi gjendjen në Kosovë si të zymtë, ndërsa homologu i tij, Enver Hoxhaj, u përqendrua në nevojën për dialog mes dy vendeve.


Përfaqësuesi serb, Vuk Jeremiç, shfrytëzoi fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit për të ripohuar qëndrimin e qeverisë së tij ndaj pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kushtetuta e Serbisë e kundërshton një gjë të tillë.

Ministri i jashtëm serb e përshkroi si të zymtë gjendjen në Kosovë, ndërsa foli për përçarje mes partive dhe një krizë politike që u shënua me zgjedhjen e dy presidentëve brenda vetëm dy muajsh.

Mirëpo zoti Jeremiç përqendroi vëmendjen në deklarata për krim të organizuar në Kosovë, në veçanti raportin e Këshillit të Evropës për trafikim organesh. Ai përsëriti një kërkesë të qeverisë serbe që Këshilli i Sigurimit të ngrejë një komision hetimor për këtë çështje, duke thënë se përgjegjësia nuk mund t’i lihet, siç është paraparë, Misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë.

“E vërteta është se EULEX-i, që klasifikohet si mision teknik, mund të veprojë vetëm brenda Kosovës – dhe askund tjetër – kurse gjurmët e krimeve të deklaruara shpien jo vetëm në disa vende evropiane, por edhe në pjesë të Afrikës, Azisë dhe Lindjes së Mesme”.

Kreu i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Xanier, theksoi se UNMIK-u është i gatshëm të bashkëpunojë në hetime të mundshme. Ai shtoi se mosqartësimi i deklaratave për trafikim organesh do të pengojë përpjekjet për pajtim.

Mirëpo ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se qeveria e tij mbështetet tek EULEX-i për forcimin e sundimit të ligjit, përfshirë këtu edhe hetimet rreth deklaratave të senatorit zviceran Dik Marti.

Kryediplomati Hoxhaj çmoi rolin e Kombeve të Bashkuara në ecurinë e shtetndërtimit, ndërsa theksoi se pavarësia e Kosovës “ka prodhuar paqe, stabilitet dhe siguri në rajon”.

Ai foli edhe për qëllimet e qeverisë së Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“Qeveria dhe populli i Kosovës janë lodhur nga konflikti dhe propaganda. Ne duam të vështrojmë përpara dhe të angazhohemi në një proces të pajtimit me Serbinë”.

Ministri Hoxhaj tha se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë si partnerë të barabartë, ndërsa ecin drejt Bashkimit Evropian. Ai tha se qeveria e tij mbështet zgjidhjet që janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Veç kësaj, ai i bëri gjithashtu thirrje Serbisë të kundërshtojë ekstremistët që ai i fajësoi si pengesë ndaj sundimit të ligjit në veri të Kosovës.

Zoti Hoxhaj tha po ashtu se shteti i ri “nuk është më në qendër të vëmendjes së diplomacisë ndërkombëtare”. Ai e cilësoi këtë si shenjë përparimi, duke thënë se investimet ndërkombëtare mund të përdoren më pak për mbrojtje ushtarake e më shumë për zhvillimin e vendit.

Ministri Hoxhaj dënoi përshkrimin që zoti Jeremiç i bëri gjendjes në Kosovë, duke thënë se kryediplomati serb nuk “është në dijeni të realitetit në terren”.

Komentet e diplomatëve u bënë në kuadër të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit mbi gjendjen në Kosovë. Organi i OKB-së zhvillon takime të tilla njëherë në disa muaj.

XS
SM
MD
LG