Lidhje

Kosova dhe Shqipëria angazhohen për drejtësi të pavarur

  • Leonat Shehu

Kryeprokurorja e Shqipërisë Ina Rama, tha sot se institucioni i saj do të mbështesë procesin e reformave të sistemit të drejtësisë dhe anëtarësimin e institucioneve të drejtësisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ajo i bëri këto komente gjatë vizitës që po zhvillon në Kosovë, gjatë së cilës po diskutohen rezultatet e marrëveshjeve të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe sfidat me të cilat përballen sistemet prokuroriale të të dyja vendeve, posaçërisht në synimet për garantimin e pavarësisë së këtij sistemi nga politika.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, tha se sistemi i drejtuar prej tij e ka të garantuar pavarësinë me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Se a do të ketë dikush mundësi të ndikojë politikisht te një prokuror, varet vetëm prej atij prokurori. Unë them se në sistemin prokurorial të cilin unë e menaxhoj deri sot në Kosovë nuk kemi pasur ndërhyrje politike”, tha kryeprokurori Kabashi.

Ndërsa zonja Rama tha se ndërtimi i pavarësisë së plotë është një proces i vështirë edhe për vende me demokraci të zhvilluar.

“Unë mendoj se ky është një proces që ka vështirësitë e tij, jo vetëm për vende si Shqipëria me një demokraci relativisht të brishtë, por edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, kështu që është një proces që sigurisht merr kohën e tij, ka kosto, por unë mendoj se prokuroria shqiptare po vazhdon të bëjë përpjekjet e saj në këtë drejtim me qëllimin për ta forcuar pavarësinë e saj, siç ajo parashikon në Kushtetutë”, tha kryeprokurorja Rama.

Zonja Rama, përmendi në këtë kuadër edhe mospajtimet që janë nxitur nga përfundimi i gjyqit në rastin e Gërdecit dhe rrugët institucionale që po ndiqen edhe me rastin e apelimit të këtij rasti.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi, i kërkoi ndërkaq zonjës Rama ndihmë në ato fusha ku Republika e Shqipërisë me sukses e ka kaluar reformimin në sistemin e drejtësisë, si dhe për krijimin e Akademisë së Drejtësisë në Kosovë.

Zonja Rama duke u zotuar për mbështetje tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i veçantë për faktin se flitet për dy vende sovrane të një kombi të përbashkët.

Mënjanimi i ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë dhe mbrojtja e pavarësisë së tij janë diskutuar në të gjitha takimet e zonjës Rama, meqë këto çështje janë përmendur vazhdimisht si pjesë e kritereve themelore për proceset e integrimeve të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG