Lidhje

Kosova dhe Shqipëria përurojnë abetaren e përbashkët

  • Leonat Shehu

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u bëri thirrje sot fqinjëve të shqiptarëve që siç tha ai, të çlirohen nga shqiptaro fobia. Ai i bëri këto komente në Prizren gjatë ceremonisë së publikimit të Abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës e cilësuan këtë ngjarje si zhvillim historik për kombin shqiptar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo është një ngjarje e madhe për shqiptarët kudo ku janë.

“Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po prezantojmë për herë të parë abetaren e përbashkët të shqiptarëve. Për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është abetarja e parë e përbashkët në bashkautor nga Shqipëria e Kosova. Janë katër autorë, dy zonja dhe dy zotërinj”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se kombi shqiptar sot është më bashkuar dhe më i sigurt se kurdoherë më parë.

“Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t'i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai.

Kryeministri Berisha me këtë rast nënvizoi se shqiptarët janë më të vendosur se kurrë që të punojnë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon dhe më gjerë.

“Nga Prizreni duam t’u themi fqinjëve tanë çlirohuni nga shqiptaro-fobia. Ajo është një mbeturinë e primitivizmit e të trashëguarit tuaj. Shqiptarët janë një komb, i cili di të ruajë dhe të mbajë miqësitë. Por, gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptaro-fobinë tuaj, me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se jeni akoma shumë prej jush në stadet primitive”, tha kryeministri Berisha.

Katër autorë, dy nga Shqipëria dhe dy nga Kosova janë hartuesit e Abetares së përbashkët, që sipas autoriteteve të të dyja vendeve shënon fillimin e hartimit të teksteve të tjera të përbashkëta shkollore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG