Lidhje

Lufta kundër kancerit në Kosovë


Kosova shënoi ditën botërore të luftës kundër kancerit me shqetësimet për rrugën e përballjes me këtë sëmundje. Onkologët thanë se vetëm gjatë vitit 2013 janë regjistruar rreth 800 raste të reja të të sëmurëve me kancer që janë trajtuar në institucione, por, nuk dihet numri i saktë i të gjitha atyre që vuajnë nga kjo sëmundje. Format më të shpeshta të regjistruara në Kosovë janë kanceri i gjirit tek gratë dhe ai i mushkërive tek burrat.
Dita kundër kancerit në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:10 0:00

​Aktualisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme për numrin e përgjithshëm të të sëmurëve me kancer. Sipas përllogaritjeve të bazuara në vlerësimet e përgjithshme botërore, besohet se janë mbi tre mijë të sëmurë. Ilir Kurtishi. onkolog në institutin e onkologjisë në Prishtinë tha se gjatë vitit 2013, në këtë institucion janë trajtuar rreth 800 raste të të sëmurëve me kancer.

Prej tyre ka dominuar kanceri i gjirit nga 150 deri në 200 raste brenda një viti, pas tij vjen kanceri i mushkërive dhe kanceri i zorrëve. Këto tri sëmundje dominojnë edhe në vendet e rajonit dhe të Evropës”, tha ai.

Kryetari i shoqatës për luftë kundër kancerit Xhavit Bicaj, thotë se ka shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e numrit të personave të sëmurë nga kanceri, duke përmendur stresin si një nga faktorët më të shpeshtë.

Golgota që ka kaluar populli ynë në fund të shekullit njëzet, vitet 1999 dhe 2000 ka qenë kulmi edhe i stresit edhe i përballjes me faktorë të mundshëm sic kanë qenë bombat e përdorura qoftë nga NATO apo okupatori serb që kanë mund të derivojnë edhe duhet të pritet tash pas 15 apo 20 vitesh që do të jetë numri edhe më i madh i rasteve të reja me sëmundjen e kancerit”, tha ai.

Zoti Bicaj thotë se Kosova për shkak të situatës së saj është më mbrapa rajonit sa i përket mbrojtjes onkologjike.

Sepse mbrojtja onkologjike është fushë komplekse në shëndetësi e cila përbëhet nga pesë hallka sic janë parandalimi, diagnostifikimi i hershëm, trajtimi me kohë, rehabilitimi dhe kujdesi. Asnjëra prej këtyre nuk është e realizuar si duhet dhe sa duhet në Kosovë, pjesërisht ka diçka por le për të dëshiruar shumë”, tha zoti Bicaj.

Ndër shqetësimet më të shpeshta është mungesa e barërave për trajtimin e kësaj sëmundjeje gjë që ka bërë që pacientët të detyrohen të blejnë vet ilaçet e nevojshme. Megjithatë zoti Kurtishi thotë se Kosova është në gjendje të përballet me këtë sëmundje dhe që nga viti i kaluar edhe trajtimin nëpërmjet rrezatimit.

Që është një përparësi shumë e madhe për Kosovën pasi që trajtimi me rrezatim deri vitin e kaluar është bërë jashtë Kosovës. Pra me futjen në përdorim edhe të këtij lloji ne e kemi përmbyllur ciklin e trajtimit të sëmurëve onkologjik, duke filluar prej mjekimit kirurgjikal, mjekimit me ilaçe dhe mjekimit me rreze. Këto janë forma dhe mënyra e trajtimit të pacientëve kirurgjikal që për fat të mirë tash këto ditë bëhet edhe në Kosovë, duke bërë trajtimin e çdo aspekti të të sëmurëve malinjë, përjashtim bëjnë rastet e caktuara kur përdoren disa forma të avancuara të rrezatimit që ato ne në Kosovë nuk i kemi por as vendet në rajon dhe kanë nevojë për trajtim diku më larg”, tha zoti Kurtishi.

Autoritetet thonë se kanë hartuar një plan kombëtar për Kontrollin e Kancerit, i cii synon të ndihmojë parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e të prekurve. Një rëndësi e veçantë thuhet se do t’i kushtohet programeve për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të rasteve të kancerit të gjirit që zë vendin e parë në tumoret malinjë që prekin gratë.
XS
SM
MD
LG