Lidhje

6 të reja nga Kosova përfunduan një kurs 6 javor në kuadër të programit Hope Fellowship

  • Astrit Lulushi
  • Uashington

6 të reja nga Kosova përfunduan një kurs 6 javor në kuadër të programit Hope Fellowship

6 të reja nga Kosova përfunduan një kurs 6 javor në kuadër të programit Hope Fellowship

6 të reja nga Kosova, përfunduan dje në Uashington një kurs 6 javor kualifikimi profesional në kuadër të programit Hope Fellowship. Programi zhvillohet dy herë në vit nëUashington ku te reja nga Kosova vijnë për të marrë pjesë në seminare, kurse, e shkëmbim përvoje, të cilat synojnë t'i bëjnë ato më të afta në politikë e veprimtari shoqërore, gazetari, afarizëm e në poste drejtuese kur të kthehen në vendin e tyre.

Programi Hope Fellowship është tashmë traditë e filluar 10 vjet më parë me nismën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Programi, i cili synon përparimin intelektual të grave dhe vajzave nga Kosova, financohet nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ligjvënësi nga Dakota e Veriut, Earl Pomaroi është një nga kongresmenët që ka shoqëruar e ndihmuar pjesmarrëset e këtij programi që nga fillimi i tij 10 vjet më parë.

Ligjvënësi Pomaroi i përgëzoi kursantet për përfundimin e programit 6 javor në Shtetet e Bashkuara. Zoti Pomaroi i cilësoi ato si një barometër me anë të të cilit, zyrtarët dhe politikanët amerikanë shohin prognozën e shëndetëshme të një vendi të ri në zhvillim, duke i bërë të mendojnë se përpjekjet dhe ndihmat amerikane për Kosovën nuk shkojnë kot dhe se janë mëse të justifikuara.

Nga ky program janë diplomuar rreth 900 kursante nga Kosova Shqipëria e Maqedonia. Shumë prej tyre sot janë në poste drejtuese apo të suksesëshme në fusha të njohura të jetës, thotë Drejtori i Këshillit Shqiptaro Amerikan, Avni Mustafa.

Në ceremoninë, që u zhvillua mbrëmë në një nga mjediset e Kongresit në Uashington, morrën diplomat e tyre 6 gra e vajza, të profesioneve të ndryshme, përfshi juriste e gazetare.

Sipas një raporti të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, problemi kryesor me të cilin ballafaqohet Kosova sot është çështja e reformave në sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni qeveritar. Nëse Kosova synon përparimin dhe njohjen më të gjerë ndërkombëtare , thuhet në raport, ky vend duhet të forcojë sistemin e saj të dobët gjyqësor dhe të sigurojë zbatimin e ligjit.

Ariana Qosaj Mustafa e sapo diplomuar, thotë se ato që përmend raporti janë vetëm një riktheksim, pasi të gjithë kosovarët janë të vetëdijshëm për problemet që ekzistojnë.

Programi 6 javor Hope Fellowship ishte i pari për këtë vit dhe u përqëndruar në reformat e sistemit juridik dhe luftën ndaj korrupsionit, prandaj studentet ishin kryesisht nga fusha e ligjit dhe të drejtës. Programi i dytë që fillon pas pak muajsh do të përqëndrohet në reformimin e sistemit arsimor, dhe pjesmarrëset pritet të jenë nga fusha përkatëse, pasi kështu ato mund të ndihmojnë më shumë kur të kthehen në atdhe.

XS
SM
MD
LG