Lidhje

Serbët dhe zgjedhjet në Kosovë


Serbët dhe zgjedhjet në Kosovë
Serbët dhe zgjedhjet në Kosovë

Të dielën, më 12 dhjetor, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike me rreth 1 mijë e 300 kandidatë janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në mesin e tyre janë edhe tetë parti politike nga radhët e komunitetit serb, të cilët besojnë se me pjesëmarrjen në zgjedhje do të krijojnë hapësirë për të zgjidhur problemet me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre kundërshtohet nga përfaqësuesit serbë në veriun e Kosovës. Në Parlamentin 120 vendësh të Kosovës, pjesëtarët e komunitetit serb i kanë të garantuara dhjetë vende, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje atyre mund t’u sigurojë përfaqësim më të gjerë.

Në mesin e 29 subjekteve politike të regjistruara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit, tetë janë nga radhët e komunitetit serb, të cilët kanë vendosur të marrin pjesë në votime, me gjithë qëndrimin e Beogradit se nuk ka kushte për një gjë të tillë. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve besojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve të komunitetit serb. Sllobodan Petrovic, është kryetar i Partisë së Pavarur Liberale serbe, e cila që nga vitit 2007 ishte pjesë e institucioneve të Kosovës. Ai thotë se përvoja e deritashme ka dëshmuar se pjesëmarrja në zgjedhje është rrugë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por edhe shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.

Në duam të jetojmë më mirë, më të sigurtë dhe këtë ta ndajmë së bashku me fqinjët tanë. Ne përfaqësojmë komunitetin serb, por nuk do ta kemi përmbushur mandatin, nëse vetëm ky komunitet jeton më mirë”, - tha zoti Petrovic duke nënvizuar se kjo është arsyeja që po bëhen përpjekje për të nxitur një pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve serb në zgjedhje.

Kryetari i Partisë Social Demokratike serbe, Sllobodan Petkovic, thotë se një bashkësi që ka probleme duhet të angazhohet për t’i zgjidhur ato dhe kjo është arsyeja e pjesëmarrjes në zgjedhje. Ai thotë se komuniteti serb nuk është i përfaqësuar si duhet dhe përballet me shumë probleme, duke filluar nga pronat e zaptuara.

Pushteti në Prishtinë nuk ka dëshmuar vullnet për t’i thjeshtuar proceset rreth pronave duke ndërmarrë ndonjë veprim për lirimin e tyre. Ky do të ishte një hap i vullnetit të mirë për të filluar bisedimet për të ardhmen evropiane të Kosovës. Por me këtë gjendje kam frikë se Kosova nuk do të hyjë në Evropë as pas 200 vjetësh”, thotë Sllobodan Petkovic, duke u bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që t’i trajtojnë serbët si partnerë.

Ndërkaq, Radomir Dimic, është themelues i nismës qytetare shumetnike “Krahu i Popullit”. Ai pret një pjesëmarrje më të gjerë të pjesëtarëve të komunitetit serb në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Mendoj se përfundimisht ka ardhur çasti historik që serbët e Kosovës të marrin çështjet në duart e tyre dhe të zgjidhin vet problemet e tyre dhe të mos presin bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Detyra jonë themelore është të punojmë për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve, shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe përfshirjen e serbëve në të gjitha institucionet e jetës, kulturës, shkencës dhe të gjitha segmenteve që përbëjnë një jetë shumetnike në Kosovë”, thotë ai.

Përfaqësuesit e subjekteve politike serbe mendojnë se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë të domosdoshme dhe vetën e shohin pjesë të delegacioneve të Prishtinës.

Ne qartazi e kemi shprehur qëndrimin tonë, ndonëse kjo mund të mos jetë shumë popullore brenda komunitetit serb, por ne punojmë për atë që është në interesin e qytetarëve”, thotë Sllobodan Petroviç.

Absolutisht në anën e Prishtinës, jo për të mbështetur qëndrimet e Prishtinës apo Beogradit, por është e natyrshme që të jemi në anën e Prishtinës dhe të provojmë të nxisim disa tema thelbësore me të cilat përballet komuniteti serb, meqë aty do të bisedohet për të”, thotë Sllobodan Petkoviç.

Ne synojmë diç ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, t’u ndihmojmë që të fillojë dialogu dhe që gjërat të lëvizin nga pika e vdekur dhe të jemi lidhje e jo ndarje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thotë Radomir Dimiç.

Ata u kanë bërë thirrje bashkëkombësve të tyre në veriun e Kosovës që t’i japin fund bojkotimit të deritashëm të zgjedhjeve dhe të bëhen pjesë e institucioneve në funksion të ndryshimit të gjendjes në atë zonë. Por përfaqësuesit e serbëve në veri që janë edhe kundërshtarët më të ashpër të pavarësisë së Kosovës refuzojnë çdo përfshirje në jetën institucionale të Kosovës.

Në Parlamentin 120 vendësh të Kosovës, pjesëtarët e komunitetit serb i kanë të garantuara dhjetë vende, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje atyre mund t’u siguroj përfaqësim më të gjerë. Pas zgjedhjeve të para parlamentare, serbët me 22 deputetë qenë shndërruar në forcën e tretë politike në Parlamentin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG