Lidhje

Vritet një polic i Kosovës – sulmohet një i EULEX-it

  • Leonat Shehu

Vritet një polic i Kosovës – sulmohet një i EULEX-it

Vritet një polic i Kosovës – sulmohet një i EULEX-it

Zyrtarë të policisë së Kosovës, bënë të ditur se mbrëmë në një fshat të komunës së Klinës në Kosovën qendrore, në rrethana ende të paqarta është vrarë një pjesëtar i kësaj policie. Sipas autoriteteve pjesëtari i policisë Arben Sejdiu, 40 vjeç, është vrarë mbrëmë në hyrje të shtëpisë së tij në fshatin Grabanicë të Klinës. Nga të shtënat janë plagosur edhe dy pjesëtarë të familjes së policit të ndjerë. Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani tha se policia ka filluar një operacion në shkallë të gjerë në përpjekje për të ndriçuar këtë rast.

“Policia e Kosovës ka aktivizuar të gjitha forcat e saj policore për t'u vënë në ndjekje të personave të dyshuar dhe si rezultat i saj ka arrit të bastis gjashtë lokacione si dhe ka intervistuar dhjetë persona në cilësinë e të dyshuarve, mirëpo të njëjtit janë liruar me procedurë të rregullt dhe rasti në tërësi është ende në vazhdim e sipër duke u hetuar nga Policia e Kosovës”, - tha zëdhënësi i policisë.

Policia thotë se ende nuk mund të thotë asgjë për motivet apo autorët e mundshëm të vrasjes së policit hetues. Vrasja e mbrëmshme çon në 11 numrin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës të vrarë që nga themelimi i saj në vitin 1999.

Ndërkaq sot paradite në Prishtinë është dëmtuar makina e një pjesëtari të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit. Autoritetet thanë se makina që po drejtohej nga një zyrtar i lartë i policisë është sulmuar dhe me këtë rast janë shkaktuar dëme materiale por pa pasoja për oficerin e policisë. Zëdhënësi Kelani tha se sulmi besohet se ishte i qëllimshëm.

“Për momentin ende nuk dihet motivi i sulmit apo mjeti me çfarë është sulmuar vetura, mirëpo nga hetimet e para dyshohet të ketë qenë mjet i fortë gur. Situata për momentin është në kontroll nga Policia e Kosovës dhe janë duke u bërë të gjitha ekzaminimet e vendit të ngjarjes. Fatmirësisht personi zyrtar i EULEX-it nuk ka pësuar ndonjë lëndim në këtë rast”, - tha zoti Kelani.

Rreth 1 mije e 400 pjesëtarë të policisë së EULEX-it shërbejnë në Kosovë dhe në kuadër të përgjegjësive të tyre përfshihen rastet më të vështira.

XS
SM
MD
LG