Lidhje

Kosova dhe rreziku i ekstremizmit

  • Leonat Shehu

Studiues të besimit islam thonë se qasja e gabuar e disa prej imamëve të xhamive në Kosovë ka bërë që të rritet numri i të rinjve me fanatizëm fetar që njëkohësisht i ka shndërruar në ekstremistë dhe pastaj ithtarë e ushtarë të organizatave terroriste.

Këto vlerësime u bënë në një konferencë të organizuar nga portali Foltash me temën “qasja e shoqërisë ndaj ekstremizmit”, ku u shpreh shqetësimi për rritjen e numrit të të rinjve me qasje të skajshme ndaj shoqërisë në përgjithësi

Studiuesi i besimit islam dhe njëherësh profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Lulzim Esati tha se shqetësues mbetet numri i madh i të rinjve që kanë qasje ekstreme. Ai tha se kjo është pasojë e investimeve nga vendet tjera në rryma të ndryshme, që sipas tij tashmë kanë kaluar në rryma terroriste.

“Padyshim që këto rryma ia dolën që një vend që ishte shembull për tolerancë të bëhet rekord në numrin e ithtarëve që i çon në këto rryma që tashmë janë veprim edhe në ekstremizëm që nga Al-Nusra dhe Al-Kaida e shumë të tjera”, tha ai.

Studiuesi Esati tha se disa imamë të xhamive në Kosovë arritën që ta rrisin fanatizmin fetar tek të rinjtë. Ai numëron disa nga shkaqet që çuan të rinjtë e Kosovës tu bashkohen këtyre organizatave.

“Së pari ata ishin vet viktima të këtij entuziazmi të tepruar. Së dyti, dozën e madhe të fanatizmit që ua dhanë të rinjve harruan ta pyesin veten nëse këtë të rinj fillimisht kanë nevojë për një dozë të madhe të edukimit para se ata ta marrin dhe të ngarkohen me një fanatizëm që I dërgon në veprim në shoqëri kundër çështjeve që ata I shohin që nuk përputhen me ideologjitë e tyre. Së treti harruam këtë që thamë për vendin se ku veprojmë dhe së katërti kush do ta mban përgjegjësinë e atyre që janë vrarë dhe që vazhdojnë të vriten derisa ne po flasim këtu ata atje janë nën bomba dhe të mijëra të tjerëve që janë helmuar dhe qarkullojnë në shoqërinë tonë”, - tha ai.

Ndërsa Sociologu Ardian Gola tha se institucionet e Kosovës me gjithë dëshirën për të parandaluar ekstremizmin dhe radikalizmin, me disa nga veprimet e tyre kanë ndikuar në forcimin e këtyre dukurive.

“Kjo sidomos ka ndodhur me arrestimin e një mori teologësh të cilët më pastaj ata u liruan në mungesë të provave dhe ajo që ndodhi në fakt ishte sforcimi i pozitave të tyre përballë ndjekësve të tyre dhe pozitën e tyre të viktimës të sulmuar gjithandej nga qarqet politike dhe të tjerë, arritën me paketu ideologjikisht dhe me e shit si mjet propagandimi për vërtetësinë e predikimit të tyre. Dhe kjo është një diçka që shteti nuk do të duhet të bënte”, - tha sociologu Gola.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 60 sish. Mbi 60 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG